“Reuters”: Me gjasë ka dështuar testimi i raketës balistike ruse, “RS-28 Sarmat”
Një raketë balistike ndërkontinentale ruse e tipit “RS-28 Sarmat” me gjasë dështoi gjatë një testi më herët këtë muaj, sipas ekspertëve të armëve dhe pamjeve satelitore nga vendnisja.
Pamjet satelitore nga kompania “Maxar”, të shkrepura më 21 shtator, shfaqin një gropë rreth 60 metra të gjerë në vendnisjen e raketës në Kosmodromin e Plesetskut, në veri të Rusisë, dhe dëmin rreth zonës që nuk ishin të dukshme më herët këtë muaj, raporton agjencia “Reuters”.
Nuk qe e qartë nga pamjet nëse raketa me karburant të lëngshëm dështoi gjatë nisjes apo nëse kishte aksident gjatë shkarkimit të karburantit.
“Sipas të gjithë treguesve, ishte test i dështuar. Është një vrimë e madhe në tokë” – tha Pavel Podvig, analist me bazë në Gjenevë, që e drejton projektin “Forcat bërthamore ruse”.
“Ishte një incident serioz me raketën dhe kullën” – shtoi ai.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment dhe nuk ka bërë njoftime për testet e planifikuara me raketa “Sarmat” ditëve të fundit.
Raketa 35 metra e gjatë, e njohur edhe si “Satan II”, ka rreze veprimi prej 18 mijë kilometrash dhe peshë të nisjes prej mbi 208 tonësh.
Ajo mund të bartë deri në 16 koka të pavarura armësh si dhe disa armë rrëshqitëse hipersonike të tipit “Avangard”, sipas mediave ruse.