“Reuters”: Kripto-projekti i Trumpit, partneritet me platformën e lidhur me Hamasin e Hezbollahun - NACIONALE

“Reuters”: Kripto-projekti i Trumpit, partneritet me platformën e lidhur me Hamasin e Hezbollahun

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një sipërmarrje e kriptovalutave, e zbuluar nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe emisari i tij i ri për Lindjen e Mesme, miliarderi Steve Witkoff, ka pasur partneritet me një platformë kriptovalutash për të cilën autoritetet dhe ekspertët financiarë thonë se është përdorur nga kriminelë e grupet militante të përkrahura nga Irani, Hamasi e Hezbollahu.

Sipërmarrja “World Liberty Financial Inc”, e themeluar nga familja Witkoff dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në ShBA me Trumpin si kompani financiare fitimprurëse, paraqet shqetësim për etikën dhe konfliktet e interesit, thonë gjashtë specialistë të organeve të etikës në Qeverinë amerikane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në mesin e shqetësimeve të tyre më të mëdha është partneri i ri – platformave për kriptovaluta, “Tron”.

Më e shpejtë dhe më e lirë se “Bitcoin”-i, rrjeti “Tron” e ka tejkaluar rivalen si mjet për kripto-transfere të lidhura me grupe të konsideruara si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli e vende të tjera, kishte raportuar agjencia “Reuters” vitin e kaluar, duke cituar intervista me shtatë ekspertë të krimeve financiare dhe specialist të hulumtimit të kriptovalutave.

Platforma “Tron” njoftoi muajin e kaluar se do të investonte 30 milionë dollar në “World Liberty Inc”. Themeluesi i “Tron”-it, ndërmarrësi me prejardhje kineze, Justin Sun, do t’i bashkohet sipërmarrjes së Trumpit e Witkoffit si këshilltar, thanë në rrjete sociale vetë Suni dhe sipërmarrja “World Liberty Inc”. Suni tha se “Tron”-i tani është investitori më i madh në “World Liberty Inc”.

Gjatë operacioneve të konfiskimit të kriptovalutave, të njoftuara nga forcat izraelite të sigurisë që nga viti 2021, shpesh është veçuar përdorimi i platformës “Tron” nga militantët, përfshirë anëtarët e Hamasit, nga sulmi i të cilit vitin e kaluar u vranë rreth 1.200 njerëz, sipas autoriteteve izraelite.

Byroja Kombëtare Kundër Financimit të Terrorizmit e Izraelit, që është përgjegjëse për konfiskime të tilla, ka ngrirë 186 kuleta digjitale të “Tron”-it që nga korriku i vitit 2021, duke thënë se ato ishin përdorur nga një “organizatë e cilësuar terroriste” ose për një “krim të rëndë terrori”. Prej tyre, autoritetet izraelite i lidhën 84 kuleta digjitale të “Tron”-it me Hamasin ose aleatët e këtij grupi, përfshirë Xhihadin Islam, 39 me Hezbollahun dhe 63 me grupe terroriste të paspecifikuara ose ndërrues parash. Operacioni më i ri i konfiskimit në “Tron” u njoftua më 28 mars.

Agjencia “Reuters” nuk mundi ta përcaktonte në mënyrë të pavarur përdorimin e “Tron”-it nga grupe militante dhe Byroja Kombëtare Kundër Financimit të Terrorizmit e Izraelit nuk ofroi dëshmi për pretendimet e saj dhe as nuk iu përgjigj kërkesave për koment për të dhënë më shumë hollësi. Hamasi dhe Hezbollahu nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./Nacionale

Lajme të ngjashme