“Reuters”: Kina po e shtyn planin alternativ për paqe në Ukrainë para samitit të Zvicrës
Duke e shpërfillur samitin për paqe në Ukrainë, i cili do të mbahet këtë fundjavë në Zvicër, Kina ka lobuar të qeveritë e disa vendeve për planin e saj alternativ, kanë thënë dhjetë diplomatë. Njëri prej tyre e quajti fushatën e Pekinit “bojkot të hollë” të takimit global në Zvicër.
Nëntëdhjetë shtete dhe organizata janë regjistruar për pjesëmarrje në samitin që do të zhvillohet të shtunën dhe të dielën në Lucern, me të cilin synohet që të grumbullohet mbështetje për propozimet për paqe të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, përfshirë tërheqjen e plotë të trupave ruse nga Ukraina, raporton agjencia “Reuters”.
Rusia, që nuk është ftuar në samitin e Zvicrës, e ka cilësuar si të kotë këtë organizim. Kina, që ka lidhje të ngushta me Rusinë, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në konferencë, sepse ajo nuk i plotëson kërkesat e Pekinit, përfshirë pjesëmarrjen e Rusisë.
Pasi Kina tha se nuk do të merrte pjesë në samitin e Zvicrës, Zelensky e akuzoi Pekinin se po e ndihmon Moskën që ta minojë takimin, akuzë që është mohuar nga Ministria e Jashtme e Kinës.
Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të tjera perëndimore kishin lobuar fort që Kina të merrte pjesë në samit, përderisa po kërkojnë legjitimitet për organizimin dhe një konsensus të gjerë për rrugën që duhet ndjekur për një proces të paqes në të ardhmen.
Në biseda me shtete në zhvillim, Kina nuk e ka kritikuar në mënyrë të hapur samitin e Zvicrës ose nuk ka kërkuar drejtpërdrejt që këto vende të abstenojnë, i thanë agjencisë “Reuters” diplomatët në Pekin.
Megjithatë, një diplomat i informuar për këtë qasje tha se Pekini u kishte thënë shteteve në zhvillim se samiti i Zvicrës do ta zgjatë luftën, ndërsa dy diplomatë me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen thanë se Kina u ka thënë shteteve perëndimore që shumë vende në zhvillim janë të rreshtuara me pikëpamjet e saj për konferencën e Lucernit.
Diplomatët kërkuan që të mos u përmendeshin emrat, sepse nuk ishin të autorizuar që të flisnin me media për këtë çështje të ndjeshme.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të agjencisë “Reuters”, Ministria e Jashtme e Kinës tha se pozicioni i saj për konferencën e Zvicrës është “i drejtë dhe i hapur”.
“Kina ka qenë në komunikim të ngushtë me palët përkatëse, përfshirë Zvicrën dhe Ukrainën, dhe e inkurajon pjesëmarrjen e barabartë të të gjitha palëve në konferencë si dhe diskutimin e drejtë të të gjitha planeve” – tha të premten zëdhënësja Lin Jin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, javën e kaluar tha: “Kina sinqerisht shpreson se një konferencë e paqes nuk do të shndërrohet në një platformë të përdorur për të krijuar konfrontim blloqesh. Mospjesëmarrja në të nuk e nënkupton mospërkrahjen e paqes.”
Emisari i posaçëm i Kinës për çështje euro-aziatike, Li Hui, muajin e kaluar i vizitoi Turqinë, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është takuar me zyrtarë të vendeve në zhvillim në ambasadat e tyre në Pekin, thanë diplomatët.
Duke shpjeguar se pse nuk do të marrë pjesë në samitin e Zvicrës, Kina është munduar që t’i fusë në listë shtetet në zhvillim për t’iu bashkuar planit 6-pikësh të paqes që e paraqiti me Brazilin muajin e kaluar.
Në propozim bëhet thirrje për një konferencë ndërkombëtare të paqes “të mbajtur në kohë të duhur që është e njohur nga Rusia dhe Ukraina, me pjesëmarrje të barabartë të të gjitha palëve si dhe diskutim të drejtë të të gjitha planeve të paqes”./Nacionale
Përktheu: Nasuf Abdyli