“Reuters”: Kërkesat e Izraelit për trupa në Gaza po e bllokojnë paktin për armëpushim - NACIONALE

“Reuters”: Kërkesat e Izraelit për trupa në Gaza po e bllokojnë paktin për armëpushim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mospajtimet për praninë ushtarake izraelite në të ardhmen në Gaza dhe për lirimin e të burgosurve palestinezë po e pengojnë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve izraelite, sipas dhjetë burimeve të afërta me rundin e bisedimeve që u ndërmjetësuan nga ShBA-ja dhe që u përmbyllën javën e kaluar.

Këto burime, ku përfshihen dy zyrtarë të Hamasit dhe tre diplomatë perëndimorë, i thanë agjencisë “Reuters” se mosmarrëveshjet po rrjedhin nga kërkesat që Izraeli i ka paraqitur që nga koha kur Hamasi pranoi një version të propozimit për armëpushim të paraqitur në maj nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Të gjitha burimet thanë se Hamasi është posaçërisht i shqetësuar për kërkesën më të re për t’u mbajtur trupat izraelite që janë dislokuar përgjatë Korridorit Netzarim, që e ndan Gazën në dysh dhe që Izraeli e ka pastruar gjatë luftës së tanishme dhe që ua parandalon palestinezëve lëvizjen e lirë mes veriut e jugut të enklavës, si dhe në një rrip të ngushtë kufitar mes Gazës dhe Egjiptit, i njohur si Korridori Filadelfi.

Mbajtja e tanishme izraelite e Korridorit Filadelfi i jep kontroll këtij shteti në kufirin e Gazës me Egjiptin, pikëkalimi i vetëm i enklavës që nuk kufizohet me Izraelin.

Hamasi konsideron se Izraeli i ka ndryshuar kushtet dhe parametrat e veta “në momentin e fundit” dhe shqetësohet që çfarëdo koncesioni që do të bënte grupi do të pasohej me kërkesa shtesë, i tha agjencisë “Reuters” njëri nga burimet, që është i afërt me bisedimet mes palëve.

Zyrtari për media i Hamasit nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë artikull. As zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk iu përgjigj pyetjeve rreth bisedimeve për armëpushim.

Në një deklaratë të publikuar të dielën, Hamasi tha se propozimi që ka dalë nga bisedimet e javës së kaluar është shumë afër pozicioneve të Izraelit që vendosin kushte të reja. Grupi palestinez iu bëri thirrje ndërmjetësve që t’i përmbahen zbatimit të versionit të korrikut të marrëveshjes kornizë e jo të nisin bisedime të reja.

Në një deklaratë para fillimit të bisedimeve javën e kaluar, zyra e Netanyahut mohoi të kishte bërë kërkesa të reja, duke thënë se pozicioni i saj mbështetet në propozimin e mëparshëm.

Në një deklaratë, zyra e kryeministrit izraelit tha se në propozimin e majit thuhet se vetëm civilët e paarmatosur do të lejohen që të kthehen në pjesën veriore të Gazës, duke e kaluar Korridorin Netzarim.

Sipas një burimi tjetër, i afërt me bisedimet për armëpushim, Izraeli ka propozuar që marrëveshja për kthimin e personave joluftëtarë në pjesën veriore të Gazës do të bëhej “në një datë të mëvonshme”. Kjo u pa nga disa prej ndërmjetësve dhe nga Hamasi si tërheqje e Izraelit nga një zotim i mëparshëm për t’u tërhequr nga Korridori Netzairm dhe për ta lejuar lëvizjen e lirë brenda Gazës, tha burimi./Nacionale

Lajme të ngjashme