“Reuters”: Dosja sekrete për Rusinë është zhdukur që nga përfundimi i mandatit të Trumpit - NACIONALE

“Reuters”: Dosja sekrete për Rusinë është zhdukur që nga përfundimi i mandatit të Trumpit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një dosje me të dhëna shumë sekrete, të cilat kishin kontribuuar për një vlerësim të ShBA-së se Rusia ishte munduar t’ia siguronte fitoren në zgjedhjet e vitit 2016 Donald Trumpit, është zhdukur që nga ditët e fundit të qëndrimit të tij në pushtet, i ka thënë agjencisë “Reuters” një burim i afërt me këtë çështje.

Të dhënat e inteligjencës për Rusinë ishin bashkë me dokumente të tjera në një dosje për të cilën Trumpi e kishte udhëzuar CIA-n për t’ia dërguar në Shtëpinë e Bardhë pak para se ai të largohej nga pushteti në mënyrë që të mund të deklasifikonte materiale të lidhura me hetimin e FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, tha burimi.

Në materialet për Rusinë kishte të dhëna të inteligjencës të dorës së parë, shumë të klasifikuara, të grumbulluara nga ShBA-ja dhe aleatët e NATO-s, duke nxitur frikë se mund të jenë komprometuar metodat për grumbullimin e të dhënave, shtoi burimi.

Zyrtarët e fushatës presidenciale të Trumpit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në janar të vitit 2017 kishte publikuar një vlerësim, sipas të cilit presidenti rus, Vladimir Putin, dhe qeveria e tij kishin zhvilluar një fushatë të dezinformimit e sulmeve kibernetike për t’i “ndihmuar… gjasat e Trumpit në zgjedhje” përmes denigrimit të armikes së tij demokrate, Hillary Clinton.

Rusia mohon se ka ndërhyrë në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara.

Zhdukja e dosjes nxiti shqetësime aq të thella, saqë qeveria vitin e kaluar e ofroi mundësinë që për këtë çështje ta informonte Komisionin për Inteligjencë në Senatin e ShBA-së, i cili e pranoi propozimin, tha më tej burimi.

Për zhdukjen e dosjes së pari kishte raportuar televizioni amerikan CNN.

Në një dokument të një gjykate federale të dorëzuar në gusht nga gazetari konservator, John Solomon, dosja ishte përshkruar si 25 centimetra e trashë. Trumpi e kishte emëruar Solomonin si përfaqësues i autorizuar për qasje në dokumentet e tij presidenciale në Arkivat Kombëtare.

Në dokumentin e gjykatës thuhet se Mark Meadows, i cili shërbeu si shef i stafit të Trumpit në fund të mandatit të tij, ishte i përfshirë në trajtimin e dosjes së zhdukur dhe zhvillimin e një strategjie me Solomonin për t’i publikuar materialet që Trumpi planifikonte t’i deklasifikonte.

Meadows-i nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, që u paraqit përmes Institutit për Partneritet Konservator, ku ai është partner i lartë.

Burimi tha se në dosje kishte edhe porosi telefonike kundër Trumpit mes zyrtarëve të FBI-së, Peter Strzok dhe Lisa Page, të cilët ishin të përfshirë në hetimin e rastit të njohur si “Crossfire Hurricane”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme