“Reuters”: Djali po e ndihmon Trumpin që ta zgjedhë kabinetin më kundërthënës në kohët moderne
Donald Trump Jr., i biri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka dalë si anëtari më me ndikim në familjen presidenciale gjatë tranzicionit, përderisa ish-presidenti po e ndërton kabinetin më kundërthënës në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, sipas gjashtë burimeve me njohuri për rolin e të birit të tij, duke ngritur në detyrë njerëz besnikë e pa përvojë para kandidatëve më të kualifikuar për pozitat më të larta në administratën e tij.
Trumpi, që e shpërblen mirë besnikërinë, për një kohë të gjatë është mbështetur tek anëtarët e familjes për këshilla politike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kësaj radhe bëhet fjalë për Donald Trump Jr, i cili ka ndihmuar në ngritjen ose fundosjen e kandidatëve për kabinet, nga mbrojtja e kandidatit për nënpresident, JD Vance, deri te bllokimi i ish-sekretarit të Mbrojtjes, Mike Pompeo, nga hyrja në kabinet, sipas burimeve, ku përfshihen donator, miq personal dhe aleatë politikë.
Burimet shtuan se Donald Trump Jr. do t’i japë këshilla babait të tij në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse paralajmëruan se ai ka pak gjasa që të përfshihet në diskutimet e përditshme.
Donald Trump Jr. dhe ekipi i tranzicionit Trump – Vance nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Përpos që sigurohet se kandidatët janë besnikë ndaj babait të tij, Donald Trump Jr. në mënyrë tipike kërkon që mbështesin pikëpamje kundër establishmentit, përfshirë politikat proteksioniste ekonomike dhe zvogëlimin e ndërhyrjeve ushtarake dhe ndihmave për vendet e huaja, sipas disa burimeve dhe vetë komenteve të të birit të presidentit të zgjedhur në rrjete sociale e në publik.