Reuters: Armiqtë e Izraelit në takime të nivelit të lartë për ta shfrytëzuar krizën - NACIONALE

Reuters: Armiqtë e Izraelit në takime të nivelit të lartë për ta shfrytëzuar krizën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kriza që e ka përfshirë Izraelin e ka tërhequr interesimin e armiqve të këtij vendi në mbarë Lindjen e Mesme, të cilët kanë thërritur takime të nivelit më të lartë për ta shqyrtuar krizën dhe për të parë se si mund ta shfrytëzojnë atë, thonë burimet e afërta me këto diskutime.

Armiqtë, përfshirë grupin “Hezbollah” të Libanit, që mbështetet nga Irani, janë gëzuar për mundësinë e përçarjes së Izraelit nga kriza e nxitur prej lëvizjeve të pushtetit për t’ia kufizuar kompetencat Gjykatës Supreme, sidomos për kërcënimet e rezervistëve për ta ndërprerë paraqitjen për shërbim ushtarak, raporton agjencia “Reuters”.

Larg propagandës që transmetohet nga grupet që e dëshirojnë vdekjen e Izraelit, këto lëvizje i kanë kushtuar vëmendje të posaçme krizës në takime me dyer të mbyllura, duke e parë atë si pikë e mundshme kthese për Izraelin.

Kjo temë u diskutua në një takim treorësh javën e kaluar, në të cilin morën pjesë komandanti i Forcave Kuds të Iranit, grup që u jep përkrahje ushtarake aleatëve të Teheranit, sipas dy zyrtarëve iranianë të sigurisë, sipas zyrtarëve të grupit “Hamas” dhe sipas një diplomati iranian.

Pasi kishin arritur në konkluzionin se kriza tashmë e kishte dobësuar Izraelin, ata u pajtuan se duhej të përmbaheshin nga ndonjë “ndërhyrje e drejtpërdrejtë”, duke besuar se kjo do t’ia jepte mundësinë kryeministrit Benjamin Netanyahu që t’ua hidhte fajin armiqve të jashtëm.

Një burim i grupit “Hamas” refuzoi që ta komentonte këtë informatë, duke thënë se ka diskutime të vazhdueshme brenda mes këtij grupi, Iranit dhe Forcave Kuds “për tërë situatën dhe për të diskutuar mënyra për ta plotësuar punën e rezistencës”.

Ministria e Jashtme e Iranit dhe zyra për marrëdhënie me publikun e Rojave Revolucionare të Iranit nuk ishin menjëherë të qasshme për komente.

Të hënën, udhëheqësi i grupit “Hezbollah”, Sayyed Hassan Nasrallah, për krizën në Izrael tha: “Dita e sotme, në veçanti, është dita më e keqe në historinë e entitetit, siç thonë disa njerëz. Kjo është ajo që e vë atë (Izraelin) në rrugën e kolapsit, përçarjes dhe zhdukjes, në dashtë Zoti.”

Lajme të ngjashme