Sondazhet: Miratimi i reformës zgjedhore ia sakaton përkrahjen popullore Netanyahut - NACIONALE

Sondazhet: Miratimi i reformës zgjedhore ia sakaton përkrahjen popullore Netanyahut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pësuar goditje të rëndë sa i përket përkrahjes në sondazhe për shkak të miratimit të ndryshimeve në sistemin e drejtësisë.

Sipas sondazheve të publikuara të martën vonë nga dy transmetuesit kryesorë izraelitë, nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, numri i ulëseve të koalicionit qeveritar në kuvendin me 120 deputetë do të binte nga 64, sa është tash, në 53 ose 52, raporton agjencia “Reuters”.

Ndërkohë ulëset e mbajtura nga deputetët e partisë Likud të Netanyahut do të binin nga 32 në 28, sipas televizionit “N12 News”, ndërsa në 25, sipas televizionit “Reshet 13”.

Të hënën, koalicioni nacionalisto-religjioz i Netanyahut, i formuar pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, e miratoi në kuvend legjislacionin që i kufizon kompetencat e Gjykatës Supreme pavarësisht nga protestat masive.

Shtetet e Bashkuara, aleate të ngushta të Izraelit, e quajtën fatkeq këtë miratim dhe bënë thirrje për të punuar drejt një konsensusi të gjerë. Megjithatë, ShBA-ja nuk dha sinjal që qeveria izraelite do të ballafaqohej me pasoja në praktikë.

Mjekët izraelitë shpallën grevë të martën dhe më shumë rezervistë ushtarakë kanë kërkuar që ta ndërpresin shërbimin si protestë kundër lëvizjeve të qeverisë.

Ushtria izraelite i mori masat e para të njohura disiplinore kundër atyre që kanë protestuar. Një rezervistë u dënua me një mijë shekelë (270 dollarë) dhe një tjetër me 15 ditë burgim me kusht për shkak të shpërfilljes së thirrjeve.

Kjo krizë e ka përçarë shoqërinë izraelite dhe e ka goditur rëndë ekonominë, duke i nxitur largimin e investitorëve të huaj, dobësimin e vlerës së shekelit dhe forcimin e mundësisë për grevë të përgjithshme nga sindikata e punëtorëve të sektorit publik.

Lajme të ngjashme