Republikani Gaetz paraqet mocion për shkarkimin e McCarthyt, Dhoma e Përfaqësuesve në telashe
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy, do të ballafaqohet me një referendum të jashtëzakonshëm për postin e tij, pasi një anëtar konservator i partisë së tij, kritik i vjetër, paraqiti mocion për ta shkarkuar nga pozita e rëndësishme.
Të hënën vonë, republikani Matt Gaetz, paraqiti një rezolutë që do të sjellë votim ditëve të ardhshme për të cilin vetë Gaetzi pranoi se mund të mos ketë përkrahje të mjaftueshme për ta shkarkuar kryetarin, raporton agjencia “Associated Press”.
“Unë kam republikanë të mjaftueshëm ku në këtë pikë javën e ardhshme, njëra nga dy gjëra do të ndodhin: Kevin McCarthy nuk do të jetë kryetar i Dhomës (së Përfaqësuesve) ose ai do të jetë kryetar i Dhomës që punon sipas kënaqësisë së demokratëve”- tha kongresisti Gaetz para gazetarëve.
Ky është një moment historik, sepse është hera e parë në më shumë se 100 vjet që një ligjvënës mund të bëjë të detyrueshëm një votim duke shfrytëzuar një mjet të legjislativit, me të cilin janë kërcënuar kryetarë të Dhomës së Përfaqësuesve në të kaluarën, por kurrë nuk është zbatuar për t’i shkarkuar ata.
Gaetzi me muaj ka kërcënuar se do ta përdorte këtë masë në përpjekje për ta shkarkuar kryetarin. Këto kërcënime eskaluan në fundjavë, pasi McCarthy u mbështet te demokratët që t’i siguronte votat e mjaftueshme për ta financuar qeverinë.
Republikani Michael McCaul, shef i Komisionit për Punë të Jashtme, tha se ka folur në mënyrë private me disa demokratë, të cilët i kanë thënë se do të votojnë për ta ndihmuar McCarthyn që të mbetet në postin e tij. “Jam i sigurt se z. Gaetz do të ketë disa aleatë që do të shkojë me të, por nuk shoh mjaftueshëm”- tha ai.
Kritikët konservatorë janë përplasur me McCarthyn që nga fillimi, duke i mohuar atij votime të caktuara dhe duke i hedhur poshtë plane të ndryshme. Sidoqoftë, McCarthy i ka dalë përballë këtij ballafaqimi, duke sugjeruar se kjo është një mundësi për t’i vënë anash kritikët e tij një herë e përgjithmonë.
Në një fjalim të mbajtur në Dhomën e Përfaqësuesve, Gaetzi e akuzoi McCarthyn për hartim të një marrëveshjeje me Shtëpinë e Bardhë gjatë bisedimeve për sigurimin e financimit për qeverinë për ta çuar përpara legjislacionin për përkrahje financiare për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
