Regjimi i Iranit po shkundet nga protestat antiqeveritare
Me trazirat antiqeveritare në Iran që po zhvillohen me shpejtësi dhe presionin ndërkombëtar që po rritet, udhëheqja klerikale duket se, për momentin, nuk është në gjendje të përballojë atë që është shndërruar në një krizë legjitimiteti në zemër të Republikës Islamike, shkruan Reuters.
Demonstratat, të cilat nisën muajin e kaluar në Teheran, janë përhapur në të gjitha 31 provincat e Iranit, por ende nuk kanë arritur përmasat e protestave të viteve 2022–2023, të nxitura nga vdekja e Mahsa Aminit gjatë ndalimit nga policia, për shkak të shkeljes së supozuar të rregullave të veshjes islame.
Protestat filluan në Teheran me tregtarët e Pazarit të Madh, të zemëruar nga rënia e fortë e monedhës kombëtare, rialit. Tashmë ato kanë përfshirë edhe grupe të tjera, kryesisht burra të rinj, ndryshe nga protestat për Aminin ku një rol kyç luajtën gratë dhe vajzat.
Agjencia amerikane Human Rights Activists Neës Agency (HRANA) ka raportuar se të paktën 34 protestues dhe katër pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë, ndërsa 2,200 persona janë arrestuar gjatë trazirave. Analistët thonë se këto zhvillime nxjerrin në pah një zhgënjim më të thellë ndaj status quo-së shiite.
Irani zhytet në një ndërprerje kombëtare të internetit ndërsa përhapen trazirat antiqeveritare
Irani u përfshi nga një ndërprerje mbarëkombëtare e internetit të enjten në mbrëmje, ndërsa protestat masive kundër qeverisë u përhapën në të gjithë vendin.
Iranianët po brohorisnin slogane kundër regjimit teokratik në pushtet, ndërsa zemërimi rritet për shkak të krizës ekonomike dhe goditjeve të ashpra të forcave të sigurisë.
Autoritetet ndërprenë aksesin në internet dhe linjat telefonike menjëherë pasi protestat nisën të enjten në kryeqytetin Teheran dhe në qytete të tjera të mëdha, megjithëse ndërprerja nuk e ndaloi menjëherë publikimin e videove nga protestat, të cilat tashmë kanë hyrë në javën e dytë.
“Ndërprerjet kombëtare të internetit priren të jenë strategjia e zakonshme e regjimit kur është gati të përdorë forcë vdekjeprurëse kundër protestuesve,” tha për CNN Alp Toker, drejtor i organizatës mbikëqyrëse të sigurisë kibernetike NetBlocks, shkruan CNN.