Refugjatët nga Ukraina po trajtohen mirë në Europë. A e dini pse?
Konflikti i armatosur ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar një krizë me refugjatët nga Ukraina, të cilët kanë vendosur të braktisin vendlindjen pas fillimit të pushtimit rus.
Deri më tani, mbi 3 milionë qytetarë janë larguar nga Ukraina dhe kryesisht janë drejtuar për në shtetet fqinje, me Poloninë që numëron mbi 2 milionë refugjatë që nga fillimi i konfliktit. Por, shumë prej ukrainasve janë vendosur tashmë edhe në shtetet perëndimore.
Refugjatët nga Ukraina, jo vetëm që kanë gjetur strehë, por kanë filluar të ndjekin mësimin, të punësohen, etj. Pra, me pak fjalë, atyre është duke iu bërë i mundur zhvillimi i jetës në kushte normale.
Por, përfitimet e shumta që janë duke i marrë në vende të ndryshme, nuk burojnë thjesht nga morali apo dhembshuria për ta. Ekziston një gamë e gjerë e të drejtave, që iu takojnë refugjatëve, e cila e ka bazën në Konventën lidhur me Statusin e Refugjatëve, miratuar në vitin 1951 nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Sipas Konventës së lartpërmendur, refugjatët duhet të trajtohen pa diskriminim. Ata kanë të drejtë të kenë qasje në gjykata, të punësohen e të marrin paga, të arsimohen, të kenë të drejta pronësore, intelektuale, etj.
Madje, për refugjatët aplikohet i ashtuquajturi diskriminim pozitiv, sa herë që të drejtat e tyre njihen konform të drejtave të cilat i gëzojnë personat e huaj në përgjithësi.
Shteti, në të cilin refugjatët vendosen, duhet t'u sigurojë atyre trajtimin më të favorshëm në mesin e të gjithë personave të huaj që ndodhen në atë shtet.
Obligimi më i rëndësishëm i shtetit pritës është që të mos e dëbojë refugjatin e ligjshëm, me përjashtim të rasteve kur kjo kërkohet nga siguria dhe rendi publik. Përjashtimi i tillë, megjithatë, lejohet vetëm me vendim të drejtë gjyqësor. Pra, nëse nuk vërtetohet nga gjykata përkatëse se refugjati paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin publik, shteti është i obliguar ta pranojë refugjatin dhe t'ia ofrojë të drejtat që i takojnë.
Ndalohet edhe kthimi i refugjatit në vendin në të cilin atij do t'i kërcënohej jeta apo liria për shkak të racës, besimit, kombësisë, anëtarësisë në ndonjë grup shoqëror apo opinionit politik.
Refugjati mund të bëhet më leht shtetas i shtetit në të cilin vendoset, pasi për refugjatët parashihen procedura të përshpejtuara të natyralizimit (fitimit të shtetësisë).
Shumica e shteteve të botës janë palë të Konventës në fjalë dhe, rrjedhimisht, kanë obligime ndaj refugjatëve. Logjika e saj (Konventës) qëndron në ofrimin e kushteve të mira të jetesës dhe të drejtave e lirive, të cilat iu mohohen refugjatëve në vendin e origjinës.
Pra, ekzistojnë obligime juridike karshi refugjatëve, të cilat shtetet duhet t'i përmbushin. Kjo është arsyeja kryesore përse ukrainasit janë duke përfituar trajtim të mirë në Europë.