Rebelohen bujqit gjermanë, s’ia lejojnë zbritjen nga trageti nënkancelarit Habeck - NACIONALE

Rebelohen bujqit gjermanë, s’ia lejojnë zbritjen nga trageti nënkancelarit Habeck

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një grup bujqish ia kanë parandaluar zbritjen nga trageti nënkancelarit dhe ministrit gjerman për Çështje Ekonomike e Veprime Klimatike, Robert Habeck, disa orë pasi qeveria u spraps pjesërisht nga planet për kursim që e kishin zemëruar sektorin e bujqësisë. Kjo formë e protestës u dënua nga figura qeveritare e opozitare.

Bujqit u nisën të enjten pasdite drejt një limani në Schluettsiel, në bregdetin e Detit Verior para mbërritjes së tragetit në të cilin ndodhej nënkancelari Habeck pas thirrjeve për protestë në rrjete sociale, tha të premten policia gjermane. Nënkancelari ishte në një udhëtim personal drejt ishullit të vogël, Hooge, raporton agjencia “Associated Press”.

Rreth 250 deri në 300 njerëz u grumbulluan për të protestuar. Policia tha se nuk qe e mundshme që të organizohej një dialog mes Habeckut dhe organizatorëve të protestës në situatën e tensionuar, prandaj trageti u largua përsëri nga limani. Deri në 30 protestues u munduan që të hipnin në traget, por u sprapsën nga policia përmes sprejit kundër syve.

Ministri e nënkancelari Habeck, anëtar i Partisë së Gjelbër, ia doli që të arrinte në territorin kryesor gjerman gjatë natës.

Qeveria e kancelarit Olaf Scholz, e cila sipas anketave gëzon përkrahje të ulët të publikut, i zemëroi bujqit në dhjetor përmes paraqitjes së planeve për zvogëlimin e subvencioneve bujqësore si pjesë e një pakoje për të plotësuar një zbrazëti prej 17 miliardë eurosh në buxhetin e vitit 2024. Bujqit organizuan një protestë me traktorë në Berlin dhe bënë thirrje për më shumë protesta gjatë javës së ardhshme.

Të enjten, qeveria njoftoi ndryshim të pjesshëm të planit, duke thënë se do të mbajë në fuqi një përjashtim nga taksa për automjetet bujqësore dhe se do t’i shkallëzojë zvogëlimet e planifikuara të lirimit nga taksat për naftën që përdoret në bujqësi.

Megjithatë, Shoqata e Bujqve Gjermanë reagoi shpejt, duke thënë se këto ndryshime nuk ishin të mjaftueshme. Kjo shoqatë tha se ende kërkon që të dyja propozimet të kthehen prapa dhe se do t’u përmbahet protestave të planifikuara.

Zëdhënësi i kancelarit Scholz, Steffen Hebestreit, në rrjetin X tha se bllokimi i tragetit në të cilin ndodhej nënkancelari Habeck “është i turpshëm dhe i shkel rregullat” e shoqërisë demokratike.

Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann tha se “dhuna kundër njerëzve ose objekteve nuk ka vend në argumentimin politik”. “Kjo e diskrediton kauzën e shumë bujqve që protestojnë në mënyrë paqësore”- shtoi ai.

Nënkancelari Habeck tha se i vinte keq që nuk kishte qenë e mundshme që të fliste me bujqit. “Ajo që më jep mua arsye për mendim e shqetësim është që disponimi në vend po bëhet shumë i nxehur”- tha ai.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme