Rebelët M23 vranë rreth 170 fermerë e civilë të tjerë në Kongo, thotë OKB-ja - NACIONALE

Rebelët M23 vranë rreth 170 fermerë e civilë të tjerë në Kongo, thotë OKB-ja

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm i rebelëve të grupit M23 ndaj fermerëve dhe civilëve të tjerë në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos la të vrarë 169 njerëz më herët këtë muaj, i tha një organ i Kombeve të Bashkuara agjencisë së lajmeve “Reuters”, në atë që do të ishte njëri nga incidentet më vdekjeprurëse që nga rishfaqja e grupit që përkrahet nga Ruanda.

Udhëheqësi i grupit M23, Bertrand Bisimwa, i tha agjencisë “Reuters” se grupi do të zhvillojë hetim, por se raporti mund të jetë “fushatë e njollosjes”.

Raportimi i organit për të drejta të njeriut të OKB-së nuk është raportuar më parë dhe doli në kohën kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po bën përpjekje për paqe mes Kongos dhe Ruandës, proces për të cilin shpreson se do të zhbllokojë miliarda dollarë në investime minerare.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur vrasjet, por një aktivist lokal citoi dëshmitarë, të cilët kishin thënë se luftëtarë të grupit M23 kishin përdorur pushkë dhe hanxharë për të vrarë shumë civilë.

Grupi M23 dhe Qeveria e Kongos janë zotuar për të punuar drejt paqes deri më 18 gusht, pasi rebelët këtë vit kapën territor më shumë se kurrë më parë gjatë luftimeve në të cilat janë vrarë mijëra e janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Sipas të gjeturave të Zyrës së Përbashkët për të Drejtat e Njeriut (UNJHRO), e cila e vëzhgon Kongon, operacioni i grupit M23 që çoi në vrasjen e fermerëve filloi më 9 korrik në Rutshuru të provincës së Kivus Verior.

Në shënjestër të sulmit ishin anëtarë të dyshimtë të Forcave Demokratike për Çlirimin e Ruandës (FDLR), grup me bazë në Kongo që përfshin mbetje të ish-ushtrisë ruandeze dhe grupe militante që e kishin kryer gjenocidin e Ruandës më 1994, tha UNJHRO-ja.

“Civilë, kryesisht fermerë që përkohësisht po bënin kamping në fushat e tyre për sezonin e lëvrimit, janë sulmuar. Bilanci njerëzor ka qenë veçanërisht i lartë: të paktën 169 njerëz janë vrarë” – tha kjo agjenci në të gjeturat që i ndau me agjencinë “Reuters”./Nacionale

Lajme të ngjashme