Rebelët Houthi thonë se armëpushimi me ShBA-në nuk e përfshin Izraelin - NACIONALE

Rebelët Houthi thonë se armëpushimi me ShBA-në nuk e përfshin Izraelin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Marrëveshja e armëpushimit mes rebelëve Houthi të Jemenit dhe Shteteve të Bashkuara nuk e përfshin ndaljen e sulmeve ndaj Izraelit, tha të mërkurën ky grup, duke lënë të kuptohet se sulmet ndaj anijeve, të cilat e kanë penguar tregtinë glonale dhe i kanë sfiduar fuqitë botërore, nuk do të ndalen plotësisht.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të martën se vendi i tij do t’i ndërpresë sulmet ndaj rebelëve Houthi në Jemen, të cilët janë të lidhur me Iranin, duke thënë se grupi është pajtuar që t’i ndërpresë sulmet ndaj anijeve amerikane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pasi Trumpi e dha njoftimin, Omani tha se kishte ndërmjetësuar për marrëveshjen e armëpushimit që të ndaleshin sulmet ndaj anijeve amerikane.

Nuk ka pasur raportime për sulme të rebelëve Houthi ndaj anijeve në Detin e Kuq që nga muaji janar.

“Marrëveshja nuk e përfshin Izraelin në asnjë mënyrë ose formë” – i tha agjencisë “Reuters” kryenegociatori i rebelëve Houthi, Mohammed Abdulsalam.

“Për aq gjatë sa ata e njoftuan ndërprerjen (e sulmeve amerikane) dhe ata në të vërtetë janë të përkushtuar ndaj kësaj, pozicioni ynë ishte vetëmbrojtja, prandaj do të ndalemi” – shtoi ai.

Përderisa tensionet mund të jenë lehtësuar mes Shteteve të Bashkuara dhe rebelëve Houthi, marrëveshja nuk përjashton sulme ndaj anijeve ose caqeve të tjera që janë të lidhura me Izraelin.

Shtetet e Bashkuara i shpeshtuan sulmet ndaj grupit rebel këtë vit për t’i ndalur sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq. Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim për viktimat civile./Nacionale

Lajme të ngjashme