Raportohet se Ukraina ka tërhequr 100.000 predha nga vija e frontit, kishin probleme
Një komision është duke e hetuar furnizimin e ushtrisë ukrainase me predha mortajash 120-milimetërshe pas shumë raportimeve se ato nuk po shkrepnin si duhej, njoftoi të martën Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.
Deklarata vjen pas ankesave dhe videove të shpërndara në rrjete sociale ku predhat shihen duke mos shpërthyer ose duke mos e goditur cakun, raporton mediumi “Kyiv Independent”.
Ministria tha se e kishte tërhequr grumbullin e municionit në fjalë dhe se forcat ukrainase do t’i furnizonte me predha të importuara.
Mediumi “Dzerkalo Tyzhnia” raportoi se bëhet fjalë për 100 mijë predha që do të mund të përdoreshin për gjashtë muaj në vijën e frontit, duke shkaktuar vonesë para se të arrijnë predhat e importuara.
Predhat e mortajave dhe të artilerisë janë armatim jetik në vijën e frontit, përderisa Ukraina tashmë po ka vështirësi që të ballafaqohet me forcat ruse me armatim më të bollshëm.
Sipas mediumit “Dzerkalo Tyzhnia”, furnizimi me predhat në fjalë ishte rezultat i një marrëveshjeje mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Industrive Strategjike për të blerë municion nga një prodhues vendës për ta zvogëluar varësinë nga furnizimet prej vendeve të huaja.
Mediumi nuk e përmendi fabrikën e angazhuar për prodhimin e predhave, por tha se ajo është pjesë e konglomeratit shtetëror të mbrojtjes, “Ukroboronprom”, dhe se shpesh ishte në shënjestër të sulmeve ruse.
Në hulumtimin medial u vu në pah ai që u cilësua si proces jo i duhur i kontrollit të cilësisë. Paralajmërimet e ngritura nga disa zyrtarë në lidhje me aftësinë e fabrikës për të prodhuar lëndë shpërthyese për predhat “u zhdukën” gjatë procesit, ndërsa zyrtarët ushtarakë dështuan që t’i raportonin problemet fillestare me predhat, që ishin shfaqur në shtator.
Byroja Shtetërore e Hetimeve ka nisur një hetim penal dhe “vendime të duhura për personelin do të merren në lidhje me zyrtarët përgjegjës”, thuhet në një deklaratë. Ministria premtoi masa të reja për përmirësimin e kontrollit të cilësisë dhe të procesit të inspektimit në të gjitha fazat./Nacionale