Raportohet se Ukraina e ka informuar ShBA-në rreth planit për shkarkimin e komandantit, merr përgjigje - NACIONALE

Raportohet se Ukraina e ka informuar ShBA-në rreth planit për shkarkimin e komandantit, merr përgjigje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria ukrainase e ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë se planifikon që ta shkarkojë komandantin e ushtrisë, Gjeneral Valeriy Zaluzhnyi, thanë të premten dy burime me njohuri për këtë çështje.

Nisma për shkarkimin e oficerit më të lartë ushtarak, i cili është përplasur me presidentin Zelensky për një varg çështjes, vjen pas një kundërsulmi të forcave ukrainase vitin e kaluar që dështoi për të rimarrë sipërfaqe të konsiderueshme të territorit që mbahet nga rusët, raporton agjencia “Reuters”.

Një burim i afërt me zyrën e Zelenskyt tha se presidenti dhe komandanti i ushtrisë janë përfshirë në një mosmarrëveshje për një plan të ri të mobilizimit ushtarak dhe se Zelensky po e kundërshton propozimin e gjeneralit për të rekrutuar deri në 500 mijë trupa të reja.

Megjithatë, burimi shtoi se procesi i lirimit të Zaluzhnyit nga detyra e komandantit të forcave të armatosura ukrainase është duke u mbajtur pezull për momentin, përderisa palët po punojnë për hapat e ardhshëm.

Burimi, i cili foli në kushte anonimiteti, shtoi se nuk qe e qartë se sa do të zgjasë ky proces. Një burim tjetër tha se Shtëpia e Bardhë nuk ka shprehur ndonjë pozicion rreth planit për shkarkimin e komandantit ukrainas.

“Do të theksoja se përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë ishte që ne nuk paraqesim përkrahje ose ankesë ndaj vendimit të tyre sovran” – tha burimi, i cili kërkoi që të mbetej anonim.

“Shtëpia e Bardhë tha se i përket Ukrainës që t’i marrë vendimet e saj sovrane për personelin” – shtoi ai.

Gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”, ishte e para që raportoi se Ukraina e kishte informuar Shtëpinë e Bardhë për shkarkimin e Zaluzhnyit.

Zyrtarët amerikanë i thanë Ukrainës se ata nuk ishin kundër shkarkimit të Zaluzhnyit, tha burimi i afërt me zyrën e presidentit ukrainas.

“ShBA-ja është në rregull me shkarkimin e tij nga Ukraina. Tash për tash, të dyja palët (presidenti dhe gjenerali) kanë marrë një pauzë për atë se si do të duket e ardhmja dhe tash për tash, status-kuoja do të mbetet deri në njoftimin e ardhshëm” – tha burimi.

Ai shtoi se në mospajtimet mes presidentit Zelensky e komandantit të ushtrisë rreth mobilizimet përfshihet pikëpamja e kreut të shtetit se ushtria ka personel të mjaftueshëm që do të mund të përdorej në mënyrë më efikase.

“Zaluzhnyi këmbëngul për mobizilimin e gjysmë milioni burrave. Zelensky mendon se kjo nuk është e nevojshme tani” – tha më tej burimi.

Zaluzhnyi të enjten publikoi një kolumne në uebfaqen e televizionit CNN, në të cilën shkroi se Qeveria kishte dështuar që të mobilizonte ushtarë të mjaftueshëm.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme