Raportohet se Trumpi do t’i japë Hamasit zotim personal për përfundimin e luftës - NACIONALE

Raportohet se Trumpi do t’i japë Hamasit zotim personal për përfundimin e luftës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Përderisa Izraeli dhe ndërmjetësit po e presin përgjigjen e Hamasit të premten për propozimin më të ri për një marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve në Gaza, në një raportim thuhet se presidenti amerikan, Donald Trump, do t’i ofrojë këtij grupi një garanci të drejtpërdrejtë se ai do të mbetet i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Besohet se Izraeli është nën presion të madh nga Shtetet e Bashkuara për të arritur marrëveshje armëpushimi para vizitës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington javën e ardhshme për bisedime me Trumpin, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Burimet kanë dhënë shenja ditëve të fundit se palët kanë treguar fleksibilitet për të gjitha çështjet, por mbeten në ngërç sa i përket përfundimit të luftës. Izraeli po këmëngul që të jetë në gjendje ta rinisë ofensivën kundër Hamasit, ndërsa grupi palestinez po kërkon që me çfarëdo marrëveshjeje për armëpushim t’i jepet fund luftës.

Për t’i përafruar qëndrimet mes Izraelit dhe Hamasit rreth përfundimit të luftës, televizioni izraelit “Channel 12” paraqiti një formulim të pritshëm të presidentit amerikan: ai “do të zotohet se bisedimet për kushtet e përfundimit të luftës do të vazhdojnë edhe pas armëpushimit të përkohshëm dhe se unë do të bëj gjithçka në pushtetin tim që t’i ndihmoj palët për të arritur një marrëveshje rreth kushteve të një armëpushimi të përhershëm”.

Sipas raportimit ku nuk u përmendën burime, porosia e Trumpit për Hamasin është që, nëse grupi pajtohet për të ashtuquajturën kornizë e Witkoff-it – ku përfshihet lirimi i dhjetë pengjeve të gjalla në dy faza dhe lirimi i 18 trupave të pengjeve të vdekura në tri faza përgjatë një armëpushimi 60-ditor – Shtetet e Bashkuara do të sigurohen që të vazhdojnë përpjekjet për të arritur përfundim të qëndrueshëm të konfliktit.

Në raportime thuhet se propozimi përmban garanci nga ndërmjetësit se të dyja palët nuk do t’i rinisin luftimet gjatë kohës kur bisedimet për përfundimin e luftës janë duke vazhduar, edhe pse burimet izraelite kanë këmbëngulur që në pakt të mos përfshihet zotimi i Izraelit për të mos i rifilluar luftimet në rast të dështimit të bisedimeve.

Hamasi tha të premten herët se ishte duke e diskutuar propozimin për armëpushim të përkrahur nga ShBA-ja me grupe të tjera palestineze dhe se do t’ua dorëzojë përgjigjen ndërmjetësve porsa të marrin fund këto diskutime./Nacionale

Lajme të ngjashme