Raportohet se ShBA-ja e Rusia janë afër vazhdimit të afatit të paktit bërthamor “New START” - NACIONALE

Raportohet se ShBA-ja e Rusia janë afër vazhdimit të afatit të paktit bërthamor “New START”

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po i afrohen një marrëveshjeje për ta respektuar traktatin për kontrollin e armëve bërthamore, “New START”, përtej skadimit të së enjtes, raporton mediumi amerikan “Axios”, duke cituar tri burime të afërta me bisedimet.

Ky pakt, me të cilin caktohen kufizimet për secilën palë sa u përket raketave, raketahedhësve dhe kokave bërthamore strategjike, është i fundit në një varg marrëveshjesh që datojnë para më shumë se gjysmë shekulli, që nga Lufta e Ftohtë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Bisedimet ishin duke u zhvilluar gjatë 24 orëve të kaluara në Abu-Dabi, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje, raportoi mediumi “Axios”, duke cituar një burim shtesë.

Shtëpia e Bardhë nuk pati koment të menjëhershëm për raportin, i cili erdhi pas një vargu zhvillimesh të tjera në marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha bërthamore.

Komanda Evropiane e ushtrisë amerikane tha të enjten se Uashingtoni dhe Moska ishin pajtuar në Abu-Dabi që ta rinisnin dialogun e nivelit më të lartë mes ushtrive të tyre.

Për më tepër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se bisedimet e paqes me Rusinë, të mbështetura nga ShBA-ja, do të vazhdojnë në të ardhmen e afërt, pasi negociatorët e përfunduan rundin e dytë të diskutimeve në Abu-Dabi.

Në raportin e mediumit “Axios” rreth traktatit “New Start” thuhet se është e paqartë nëse marrëveshja për respektimin e kushteve të paktit për një periudhë shtesë, me gjasë për gjashtë muaj, do të rrënjoset në ndonjë mënyrë formale.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se Rusia ende është e gatshme për t’u angazhuar në dialog me Shtetet e Bashkuara, nëse Uashingtoni përgjigjet në mënyrë konstruktive ndaj një propozimi të Moskës për ta vazhduar respektimin e kufizimeve të traktatit bërthamor “New START”./Nacionale

Lajme të ngjashme