Raportohet se Rusia ka vendosur t’i heqë talibanët nga lista e terrorizmit
Ministria e Jashtme e Rusisë tha të premten se një vendim për t’i larguar talibanët nga një listë e organizatave terroriste është “marrë në nivelin më të lartë”, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.
Vendimi duhet të pasohet me procedura të ndryshme ligjore për ta bërë atë realitet, citohet të ketë thënë Zamir Kabulovi, përfaqësues i posaçëm i presidentit Vladimir Putin për Afganistanin, raporton agjencia “Reuters”.
Putini tha në korrik se Rusia e konsideronte lëvizjen e talibanëve në Afganistan si aleate në luftën kundër terrorizmit.
Rusia ka qenë duke ndërtuar marrëdhënie ngadalë me talibanët që nga ardhja e tyre në pushtet në Afganistan në gusht të vitit 2021, kur forcat e udhëhequra nga ShBA-ja u tërhoqën pas 20 viteve luftë, por lëvizja ende është e paligjshme në Rusi.
Asnjë shtet nuk i ka njohur zyrtarisht talibanët si udhëheqës legjitimë të Afganistanit, edhe pse Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë pranuar ambasadorët e tyre.
Rusia i kishte futur talibanët në listën e organizatave terroriste në vitin 2003. Heqja e tyre nga lista do të ishte hap i rëndësishëm nga Moska drejt normalizimit të marrëdhënieve me Afganistanin.
Ministri i Jashtëm taliban në detyrë, Amir Khan Muttaqi, tha në një fjalim në Moskë se vendimet e marra rishtazi nga Kazakistani dhe Kirgizia për t’i larguar ish-kryengritësit nga një listë e grupeve të ndaluara ishin hap i mirëseardhur./Nacionale