Raportohet se Netanyahu po ndërmjetëson mes Trumpit dhe Putinit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke punuar për ta ndihmuar uljen e tensioneve mes presidentëve të ShBA-së dhe Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin.
Kështu i kanë thënë disa burime të afërta me Netanyahun televizionit publik izraelit, “Kan TV”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Disa nga telefonatat e Netanyahut me Putinin janë raportuar në media, ndërsa disa të tjera kanë mbetur sekrete, sipas raportit.
Raporti vjen disa ditë pasi Trumpi dha urdhër për ripozicionimin e nëndetëseve bërthamore të ShBA-së “duke u bazuar në deklaratat shumë provokuese” të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev, i cili në internet e kishte përmendur mundësinë e një lufte mes dy fuqive botërore.
Duke reaguar ndaj veprimit të Trumpit, Kremlini tha të hënën se secili duhet të ketë shumë kujdes me retorikën bërthamore dhe se nuk dëshiron që të përfshihet në grindje publike me presidentin amerikan.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se emisari i posaçëm, Steve Witkoff, do të shkojë në Rusi këtë javë për ta shtyrë Moskën që të pajtohet për armëpushim në luftën me Ukrainën.
Trumpi e ka kërcënuar Rusinë me sanksione të reja ekonomike, nëse nuk arrihet progres në këtë qëllim. Me masa i ka kërcënuar edhe shtetet që blejnë naftë nga Rusia.
Fillimisht, presidenti amerikan i kishte dhënë Rusisë afat prej 50 ditësh për arritjen e armëpushimit, por më pas e shkurtoi këtë afat në vetëm 10 ditë. Afati skadon të premten./Nacionale