Raportohet se Netanyahu ka dy kushte për fazën e dytë të armëpushimit në Gaza
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka thënë ministrave të kabinetit qeveritar gjatë një takimi të mbajtur rishtazi se kushtet e Izraelit në bisedimet e ardhshme rreth kushteve të fazës së dytë të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve janë që Hamasi të çarmatoset e të mos ketë prani në Gaza si dhe Autoritetit Palestinez t’i ndalohet menaxhimi i enklavës pas luftës, raportoi të martën televizioni izraelit.
Raporti i televizionit “Channel 12” erdhi pasi kabineti i sigurisë u mblodh të hënën në mbrëmje për të diskutuar rreth bisedimeve për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit, të cilat ende nuk kanë filluar, edhe pse fillimisht pritej të nisnin më 3 shkurt. Televizioni “Kan” tha se Netanyahu gjithashtu do ta kërkojë demilitarizimin e Rripit të Gazës, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Pas takimit, ministri i Punëve të Jashtme, Gideon Sa’ar, tha të martën se “këtë javë” do të fillojnë bisedimet për fazën e dytë të armëpushimit, kur pritet të sigurohen lirimi i të gjitha pengjeve të mbetura, tërheqja e të gjitha trupave izraelite nga Gaza dhe përfundimi i luftës.
Duke dhënë shenjë për qëndrimin që Izraeli pritet ta mbajë në bisedimet e ardhshme, kryediplomati paralajmëroi se vendi i tij “nuk do ta pranojë praninë e vazhdueshme të Hamasit ose të asnjë organizate tjetër terroriste në Gaza”.
Megjithatë, ministri izraelit shtoi se, nëse bisedimet janë konstruktive, Izraeli do të mbetet i angazhuar dhe mund ta zgjasë armëpushimin.
“Nëse ne do të shohim që ka dialog konstruktiv me një horizont të mundshëm të sigurimit të një marrëveshjeje, ne do ta bëjmë këtë kornizë që të funksionojë më gjatë” – tha Sa’ar.
Është e paqartë se si kërkesat e raportuara të Netanyahut për largimin e Hamasit nga pushteti mund të pajtohen me zotimin e tij për ta siguruar lirimin e të gjitha pengjeve izraelite. Shumë analistë kanë vlerësuar se mënyra e vetme për ta siguruar lirimin e të gjitha pengjeve do të ishte që Izraeli të pajtohet me përfundimin e luftës dhe me mbetjen e Hamasit si grup funksional në Gaza në njëfarë forme, skenar që Netanyahu në mënyrë të përsëritur e ka kundërshtuar./Nacionale