Raportohet se ministri që u shkarkua nga Putini e ka qëlluar veten
Ish-ministri i Transportit i Rusisë, Roman Starovoit, e ka qëlluar veten, raportoi medium “Izvestiya”, duke cituar një burim.
Të hënën, presidenti rus, Vladimir Putin, e shkarkoi Starovoit-in nga pozita e ministrit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në dekretin e Putinit nuk u përmend ndonjë arsye për shkarkimin e ministrit Starovoit pas pak më shumë se një viti në postin e lartë. Ai ishte emëruar ministër në maj të vitit 2024, pasi kishte shërbyer për gati pesë vjet si guvernator i rajonit Kursk që kufizohet me Ukrainën.
Kremlini tha se Andrei Nikitin, ish-guvernator i rajonit Novgorod, është emëruar ministër në detyrë i Transportit dhe publikoi fotografi ku ai shihej duke i shtrënguar duart me Putinin në Kremlin.
Dy burime brenda industrisë së transportit, të cilat kërkuan që të mos identifikoheshin, thanë se planet për ta zëvendësuar Starovoit-in me Nikitin-in ishin duke u zhvilluar që para mbajtjes së Forumit Ekonomik Ndërkombëtar muajin e kaluar në Shën Petersburg.