Raportohet se ka vdekur në burg izraelit njëri nga liderët e Hamasit, Mustafa Abu Ara
Njëri nga udhëheqësit e Hamasit në Bregun Perëndimor, Mustafa Muhammad Abu Ara, ka vdekur në ndalim të autoriteteve izraelite pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, thanë të premten Autoriteti Palestinez dhe Hamasi. Izraeli nuk ka komentuar.
Abu Ara, 63 vjeç, vdiq pasi ishte dërguar në një spital nga burgu “Ramon”, në jug të Izraelit, thuhet në një deklaratë të Komisionit për Çështje të të Ndaluarve, organ i Autoritetit Palestinez, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Para arrestimit të tij, ai po vuante nga probleme serioze shëndetësore dhe kishte nevojë për përcjellje intensive mjekësore. Megjithatë, nga momenti i arrestimit të tij, Sheikh Abu Ara, si të gjithë të burgosurit, është ballafaquar me krime të pashembullta... që nga fillimi i luftës së asgjësimit” – tha më tej ky komision.
Abu Ara ishte arrestuar në tetor, pasi edhe më parë kishte qëndruar për periudha të caktuara në burg dhe ka kaluar gjithsej 12 vjet prapa grilave, sipas Hamasit.
Përmes një deklarate të publikuar të premten, Hamasi u bëri thirrje përkrahësve që të kryejnë sulme të dhunshme kundër ushtarëve dhe “kolonëve” izraelitë si hakmarrje për vdekjen e Abu Ara-s.
Grupi palestinez tha se Abu Ara ishte viktimë e “vrasjes së ngadalshme”, duke pretenduar se zyrtarët izraelitë të burgjeve kishin refuzuar që t’i ofronin atij trajtim mjekësor për një problem të pasaktësuar kronik.
“Ne u bëjmë thirrje të gjithë luftëtarëve që t’u drejtojnë plumba e lëndë shpërthyese ushtarëve dhe kolonëve të pushtimit në hakmarrje për gjakun e martirit dhe martirë të tjerë të denjë” – tha Hamasi.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli.