Raportohet se Izraeli e vrau shkencëtarin e lartë bërthamor të Iranit, Mohammad Saber - NACIONALE

Raportohet se Izraeli e vrau shkencëtarin e lartë bërthamor të Iranit, Mohammad Saber

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mediat shtetërore iraniane kanë identifikuar një shkencëtar tjetër të lartë bërthamor për të cilin thanë se është vrarë nga sulmet izraelite.

Mohammad Reza Seddighi Saber, i cili ishte duke punuar në programin e armëve bërthamore të Iranit, “u vra” nga sulmet e fundit izraelite në veri të kryeqytetit iranian, Teheran, raportoi të martën televizioni “Press TV”, transmeton televizioni CNN.

Izraeli pretendon se ka vrarë disa shkencëtarë bërthamorë iranianë të profilit të lartë gjatë 12 ditëve të fundit, gjatë sulmeve që në shënjestër i kishin programin e armëve bërthamore, komandantë të lartë ushtarakë dhe baza të raketave.

Sipas një raporti të publikuar të hënën nga Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme, të paktën dhjetë shkencëtarë iranianë ishin vrarë nga sulmet izraelite deri atë ditë, përfshirë ish-kreun e Organizatës së Energjisë Bërthamore të Iranit, Fereydoon Abbasi, dhe ish-nëndrejtorin e kësaj organizate, Amir Hossein Feqhi.

Seddighi Saber ishte në mesin e disa personave të sanksionuar më herët këtë vit nga Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit i ShBA-së për lidhjet e tyre me programin bërthamor të Iranit.

Sipas Departamentit të Shtetit, Saber ishte kreu i një grupi që punon për projekte të lidhura me lëndë shpërthyese në SPND, organizata e Iranit për mbrojtje, novacion dhe hulumtime. Në mesin e projekteve të grupit përfshihej hulumtimi dhe testimi i zhvillimit të pajisjeve shpërthyese bërthamore, sipas Departamentit të Shtetit.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, konfirmoi të martën se ushtria izraelite kishte vrarë një shkencëtar bërthamor iranian, por nuk ia përmendi emrin Saber-it./Nacionale

Lajme të ngjashme