Raportohet se Irani e ka ashpërsuar ndjeshëm pozicionin e vet në bisedime
Pozicioni i Iranit në bisedime është ngurtësuar ndjeshëm që nga fillim i luftës dhe Rojat Revolucionare po ushtrojnë gjithnjë më shumë ndikim në vendimmarrje, ndërsa Teherani do të kërkojë lëshime të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara, nëse përpjekjet për ndërmjetësim çojnë në bisedime serioze, thanë tri burime të larta në Teheran.
Në çfarëdo negociatash me Shtetet e Bashkuara, Irani jo vetëm që do ta kërkonte përfundimin e luftës, por edhe koncesione që me gjasë janë vija të kuqe për presidentin amerikan, Donald Trump – garanci kundër veprimeve ushtarake në të ardhmen, dëmshpërblim për humbjet gjatë luftës dhe kontroll formal mbi Ngushticën e Hormuzit, thanë burimet.
Irani gjithashtu do të refuzonte që të bisedonte për ndonjë kufizim ndaj programit të vet të raketave balistike, shtuan burimet, çështje që ka qenë vijë e kuqe për Teheranin gjatë bisedimeve që po zhvilloheshin në kohën kur ShBA-ja e Izraeli e nisën sulmin e tyre muajin e kaluar, raporton agjencia "Reuters".
Trumpi tha të hënën se Uashingtoni tashmë kishte “bisedime shumë, shumë të forta” me Teheranin më shumë se tri javë pas fillimit të luftës, por Irani publikisht ka mohuar një gjë të tillë.
Tri burimet e larta thanë se Irani ka zhvilluar vetëm diskutime preliminare me Pakistanin, Turqinë dhe Egjiptin për atë nëse ekziston baza për bisedime me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës.
Një zyrtar evropian tha të hënën se, përderisa nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta mes Iranit dhe ShBA-së, Egjipti, Pakistani dhe shtetet e Gjirit Persik po i transmetonin mesazhet mes palëve. Një zyrtar pakistanez dhe një burim tjetër gjithashtu thanë të hënën se bisedime të drejtpërdrejta për përfundimin e luftës mund të mbahen këtë javë në Islamabad.
Nëse bisedime të tilla organizohen, Irani do t’i dërgojë kryetarin e Kuvendit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe ministrin e Jashtëm, Abbas Araqchi, thanë tri burimet iraniane, duke paralajmëruar se çfarëdo vendimi në fund do të jetë në përgjegjësinë e Rojave Revolucionare.
Tre zyrtarë të lartë izraelitë thanë të martën se, edhe pse Trumpi duket i vendosur për të arritur një marrëveshje, ata shohin pak gjasa që Teherani të pajtohet me kërkesat amerikane, ku ata besojnë se do të përfshihej fundi i programeve bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit.
Burimet e larta iraniane thanë se edhe shqetësimet e brendshme në Iran po e kufizojnë hapësirën manovruese të Teheranit në bisedime./Nacionale