Raportohet se Hamasi e ka pranuar paktin e propozuar për armëpushim me Izraelin - NACIONALE

Raportohet se Hamasi e ka pranuar paktin e propozuar për armëpushim me Izraelin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hamasi është pajtuar me një propozim për armëpushim 60-ditor me Izraelin që i përfshin lirimin e gjysmës së pengjeve që po mbahen në Gaza dhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë nga Izraeli, tha të hënën një burim zyrtar egjiptian.

Nuk pati reagim nga Izraeli ndaj propozimit të Hamasit, por një zyrtar izraelit konfirmoi se ai ishte pranuar si dokument. Egjipti dhe Katari kanë qenë duke ndërmjetësuar mes palëve të konfliktit, me mbështetje edhe nga ShBA-ja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Burimi zyrtar egjiptian tha se propozimi i pranuar nga Hamasi e përfshin pezullimin e operacioneve ushtarake izraelite për 60 ditë dhe skicon një kornizë për marrëveshje gjithëpërfshirëse për përfundimin e luftës gati dyvjeçare.

Një burim i afërt me bisedimet tha se propozimi i ngjan shumë një plani të mëhershëm që ishte çuar përpara nga emisari i posaçëm, amerikan, Steve Witkoff dhe i cili ishte pranuar nga Izraeli.

Planet e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin Gaza në zemër të enklavës palestineze kanë nxitur alarm brenda e jashtë vendit. Dhjetëra mijëra izraelite protestuan të dielën, duke bërë thirrje për përfundim të luftimeve dhe lirim të 50 pengjeve të mbetura në Gaza. Zyrtarët izraelitë besojnë se 20 prej tyre janë ende gjallë.

Rundi i fundit i bisedimeve të tërthorta për armëpushim përfundoi në ngërç në fund të korrikut. Palët e fajësuan njëra-tjetrën për dështimin e bisedimeve.

Izraeli ka thënë se do të pajtohet për ndërprerjen e armiqësive, nëse lirohen të gjitha pengjet dhe nëse Hamasi i ul armët. Kërkesa e dytë është hedhur poshtë publikisht nga grupi derisa të formohet një shtet palestinez.

Një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë “Reuters” më herët të hënën se grupi i kundërshton kërkesat e Izraelit për t’u çarmatosur ose për t’i dëbuar udhëheqësit e vet nga Gaza.

Duket se dallime të dukshme ende mbeten edhe për nivelin e tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza dhe për atë se si do të shpërndahen ndihmat humanitare në enklavë, ku kequshqyerja është në shkallë të lartë dhe grupet e ndihmave kanë paralajmëruar për shpalosjen e vdekjes nga uria.

Presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën në rrjete sociale shkroi: “Ne do ta shohim kthimin e pengjeve të mbetura vetëm kur Hamasi të konfrontohet dhe të shkatërrohet!!! Sa më shpejt që ndodh kjo, aq më të mira do të jenë gjasat për sukses.”/Nacionale

Lajme të ngjashme