Raportohet se është afër pakti 6-miliardësh Kore e Jugut - Poloni për 180 tanke K2
Koreja e Jugut është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje me vlerë të rreth 6 miliardë dollarëve për t’ia shitur Polonisë 180 tanke të tipit K2, raporton të martën agjencia e lajmeve “Yonhap”.
Sipas kontratës, kompania jugkoreane “Hyundai Rotem”, e specializuar në kontrata industriale dhe të mbrojtjes, do të prodhojë 117 tanke, ndërsa Grupi Polak i Armatimeve do ta prodhojë pjesën tjetër në Poloni, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, duke e cituar agjencinë “Yonhap”.
Kompania “Hyundai Rotem” nuk ishte menjëherë e qasshme për koment.
Ceremonia e nënshkrimit do të mbahet në fund të qershorit në Poloni, thuhet në raportimin e agjencisë “Yonhap”, e cila citoi një burim anonim të industrisë.
Këto dy shtete më 2022 kishin arritur një marrëveshje për shitblerjen e armëve me vlerë të 13,7 miliardë dollarëve, më e madhja ndonjëherë për Korenë e Jugut. Në të përfshihet blerja e tankeve koreane K2, raketahedhësve dhe aeroplanëve luftarakë nga Polonia.
Kompanitë e mbrojtjes në Korenë e Jugut shpresojnë që kjo marrëveshje do ta nxisë urinë e Evropës për armë në të ardhmen.
Kontrakta për tanket e tipit K2, pjesë e paktit më të gjerë të vitit 2022, pritej të finalizohej në fundin e vitit të kaluar, por dukej se ishte shtyrë, pjesërisht për shkak të krizës politike në Korenë e Jugut, e nxitur nga shpallja e ligjit të luftës në dhjetor./Nacionale