Raportohet se disa predha nga Mianmari kanë rënë në Kinë - pesë të plagosur
Pesë persona në një qytezë kineze afër Mianmarit u plagosën t mërkurën nga predhat aksidentale të artilerisë, të cilat erdhën nga ana tjetër e kufirit, sipas gazetës kineze të kontrolluar nga shteti, “The Global Times”, përderisa luftimet mes qeverisë ushtarake të Mianmarit dhe rebelëve vazhduan, pavarësisht nga bisedimet.
Kjo gazetë publikoi një vide në rrjete sociale, ku një person shihet i shtrirë në trotuar përballë disa dyqaneve, ndërsa njerëz të tjerë dëgjohen duke bërtitur “thirreni policinë”, raporton agjencia “Reuters”.
Në video, gazeta “The Global Times” tha se zyrtarët në qytetin Zhenkang të provincës Yunnan e kishin konfirmuar rënien e predhave që kishin rënë aksidentalisht nga Laukkai, zonë në rajonin Kokang të Mianmarit, duke e goditur Nansan-in, qytezë nën juridiksionin e saj, rreth orës 14 të mërkurën.
Raportohet se pesë personat e lënduar ishin dërguar në spital.
Me vite të tëra, Kokangu i Mianmarit ka qenë rajon i brishtë. Në vitin 2015, predhat nga ajo zonë kishin rënë matanë kufirit me Kinën, në Yunnan, në kohën e luftimeve mes trupave qeveritare të Mianmarit dhe rebelëve, duke lënduar një shtetas kinez e katër të Mianmarit e duke e zemëruar Pekinin.
Disa beteja ishin zhvilluar vetëm 500 metra larg kufirit Kinë – Mianmar në atë kohë.
Më 2009, përleshjet në të njëjtën zonë kishin detyruar dhjetëra mijëra njerëz që ta kalonin kufirin e të vendoseshin në Kinë, sipas mediave shtetërore kineze e grupeve për të drejtat e njeriut.