Raportohet se diplomacia e ShBA-së mund ta kufizojë hakmarrjen e Iranit ndaj Izraelit
Përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për ta zbutur hakmarrjen e Iranit për vrasjen e kreut të Hamasit, Ismail Haniyeh, për të cilën Teherani e fajëson Izraelin, mund të jenë duke funksionuar, i kanë thënë gazetës “The Washington Post” disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Irani ka kërcënuar se do ta “ndëshkojë” Izraelin për vrasjen, duke paralajmëruar se kundërpërgjigjja do të jetë më e ashpër se sulmi i tij më 13 dhe 14 prill, ndërsa grupi me bazë në Liban, Hezbollah, ka kërcënuar me një kundërpërgjigje ndaj Izraelit për vrasjen e komandantit të lartë, Fuad Shkur, në Bejrut, duke nxitur frikë për luftë rajonale, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Megjithatë, Irani mund t’i rimendojë planet e veta, pasi Shtetet e Bashkuara dërguan me nxitim forca në rajon dhe i përçuan porosi Teheranit, duke e paralajmëruar për pasoja serioze për qeverinë e re të presidentit Masoud Pezeshkian, raporton e përditshmja e njohur amerikane.
“Irani kupton qartë se Shtetet e Bashkuara janë të palëkundura në mbrojtjen e interesave tona, partnerëve tanë dhe popullit tonë. Ne kemi lëvizur një sasi të konsiderueshme të aseteve ushtarake në rajon për ta nënvizuar atë parim” – i tha gazetës një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Joe Biden.
Edhe pse Irani fillimisht kishte pretenduar se një raketë izraelite e hedhur nga afërsia e kishte lënë të vrarë kreun e byrosë politike të Hamasit në Teheran, zyrtarët e Bidenit thonë se regjimi në mënyrë private ka pranuar se një bombë ishte vendosur në dhomën e tij, që gjithashtu mund t’i ndryshojë planet e Iranit për një kundërpërgjigje të ashpër.