Raportohet se CIA i ka ofruar tërë stafit oferta për dorëheqje
Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e Shteteve të Bashkuara i ofroi oferta për dorëheqje tërë fuqisë punëtore të saj të martën, duke e përmendur synimin për ta vënë agjencinën në vijë me prioritetet e presidentit Donald Trump, raportuan gazeta “The Wall Street Journal” dhe televizioni CNN.
Agjencia amerikane e spiunazhit gjithashtu do ta ngrijë punësimin e atyre që kanë aplikuar për punë dhe të cilëve tashmë u është dhënë një ofertë me kusht, sipas gazetës së njohur amerikane, e cila citoi një ndihmës të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, raporton gazeta “The Guardian”.
Ndihmësi, emri i të cilit nuk u përmend në raport, tha se disa nga dhjetëra ofertat me gjasë do të shfuqizohen, nëse aplikuesit nuk e kanë përgatitjen e duhur për qëllimet e reja të agjencisë, ku përfshihen shënjestrimi i karteleve të drogës, lufta tregtare e Trumpit dhe minimi i Kinës.
Një zëdhënës i paidentifikuar i CIA-s i tha televizionit CNN se vendimi është pjesë e përpjekjeve të drejtorit Ratcliffe për të “garantuar që fuqia punëtore e CIA-s është e përgjegjshme ndaj prioriteteve të sigurisë kombëtare të administratës” dhe se kjo masë është “pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse për t’i dhënë agjencisë energji të përtërirë”.
Është e paqartë se kujt do t’i lejohet marrja e ofertës, i tha televizionit CNN një burim tjetër i paidentifikuar që ka njohuri rreth çështjes, por disa operacione ose fusha specifike të ekspertizës mund të kufizohen.
CIA nuk i zbulon buxhetin e vet ose numrin e personave që i ka të punësuar. CIA nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Raporti rreth ofertave për dorëheqje është në vijë me një ndryshim masiv të kabinetit qeveritar që është nisur nga administrata e Trumpit, e cila ka shkarkuar ose ka vendosur në margjina qindra shërbyes civilë në hapat e parë drejt zvogëlimit të burokracisë dhe emërimit të më shumë figurave besnike.
Shtëpia e Bardhë javën e kaluar u ofroi dy milionë punëtorëve civilë federalë mundësi për të hequr dorë nga vendet e tyre të punës në këmbim të pagesave dhe benefiteve deri më 30 shtator, përderisa presidenti po synon që ta zvogëlojë numrin e punonjësve qeveritarë./Nacionale/Nasuf Abdyli