Raportohet për të paktën pesë të vrarë nga trazira në një burg të Taxhikistanit
Së paku pesë të burgosur u vranë dhe tre punëtorë u lënduan gjatë një trazire të shkaktuar nga një arratisje në tentativë nga një burg në qytetin Vahdat në Taxhikistan, thanë të martën dy burime në agjencitë e sigurisë atje.
Nëntë të burgosur të armatosur me thika të improvizuara i sulmuan rojat të hënën, sipas Ministrisë së Drejtësisë, e cila tha se të burgosurit ishin përpjekur që t’i vrisnin rojat dhe të arratiseshin nga burgu që ndodhet 20 kilometra në lindje të kryeqytetit Dushanbe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Si rezultat i sulmit, tre punonjës u lënduan seriozisht” – tha Ministria e Drejtësisë, duke shtuar se ata tashmë ndodhen në gjendje stabile.
Në mesin e të lënduarve është kreu i administratës së burgut, i cili u dërgua në spital në gjendje serioze, i tha agjencisë “Reuters” një burim në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.
Në një video të pavërtetuar në kanale të rrjetit “Telegram” shihen ata për të cilët thuhet se ishin të burgosurit e vdekur të gjakosur shumë. Së paku një i burgosur kishte një kapele me flamurin zyrtar të ISIS-it.
Andrei Serenko, analist rajonal, tha se përkrahësit e ISIS-it e kishin nisur përpjekjen për arratisje dhe se ata për një kohë të shkurtër e kishin ngritur flamurin e këtij grupi në burg.
Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur raportimet për ISIS-in. Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për trazirën në burg./Nacionale