Raportohet për të paktën dy të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë
Së paku dy persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga një valë e re e sulmeve me dronë e raketa nga forcat ruse në disa rajone të Ukrainës, thanë të premten herët zyrtarët rajonalë e ushtarakë. Ndërkohë, Rusia tha se rajoni i saj kufitar, Belgorod, përsëri u vu në shënjestër nga dronët dhe raketat ukrainase.
Një dron rus goditi një ndërtesë banimi në Vinnytsya, kryeqytet i rajonit në perëndim të Ukrainës, duke vrarë një person në vend dhe duke plagosur katër të tjerë, tha në rrjetin “Telegram” guvernatori rajonal, Serhiy Borzov. Ai më vonë tha se një grua kishte vdekur në spital, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Ushtria ukrainase tha se Rusia hodhi 27 dronë të llojit “Shahed” dhe tetë raketa në shtatë rajone të Ukrainës.
“Të gjithë 27 dronët sulmues “Shahed” u rrëzuan mbi rajonet Kirovohrad, Mykolayiv, Kharkiv, Kherson, Khmelnytskiy, Vinnytsya dhe Kiev” – thuhet në një deklaratë të ushtrisë ukrainase, në të cilën shtohet se shumë prej dronëve ishin nisur drejt kryeqytetit. Ushtria nuk saktësoi nëse janë rrëzuar edhe raketa.
Ushtria tha gjithashtu se forcat ukrainase u përfshinë në 76 beteja të afërta gjatë 24 orëve të kaluara në zonat Novopavlivka, Avdivka dhe Lyman të rajonit lindor të Donetskut.
Në Rusi, ku tri ditë votime nisën në zgjedhjet presidenciale që pritet të fitohen pa dyshim nga presidenti Vladimir Putin, zyrtarët raportuan për më shumë sulme të dyshimta nga dronët dhe raketat ukrainase në rajonin kufitar të Belgorodit.
Në kryeqytetin rajonal të Belgorodit, që është shënjestruar nga sulmet matanë kufirit për disa ditë rresht, sulmet e reja me raketa e dronë lanë të plagosur dy persona, dëmtuan dia ndërtesa banimi dhe e penguan votimin, tha në “Telegram” guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sistemet e mbrojtjes ajrore i kishin rrëzuar të gjithë dronët dhe raketat që gjoja janë hedhur nga Ukraina drejt Belgorodit.
Të enjten u raportua se dy persona u vranë në Belgorod nga shpërthimet në rrugë, që dukej se ishin shkaktuar nga predhat. Pati edhe raportime të pavërtetuara për kalim të përsëritur të kufirit rus nga grupe të rusëve që po luftojnë në anën e Ukrainës.