Raportohet për të paktën 27 të vrarë nga luftimet mes grupeve rivale në Libi - NACIONALE

Raportohet për të paktën 27 të vrarë nga luftimet mes grupeve rivale në Libi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përleshjet mes grupeve militante në kryeqytetin e Libisë lanë të vrarë të paktën 27 persona e disa banorë të ngujuar në shtëpitë e tyre të martën, pa mundur që të iknin nga dhuna, sipas autoriteteve mjekësore.

Këto luftime duket se janë më të ashprat që e kanë prekur Tripolin këtë vit. Përpos 27 të vrarëve, mbi 100 persona të tjerë janë lënduar nga luftimet, tha të mërkurën herët Qendra për Mjekësi Urgjente dhe Mbështetje, institucion mjekësor që aktivizohet gjatë fatkeqësive humanitare dhe luftërave, raporton agjencia “Associated Press”.

Përleshjet filluan të hënën vonë mes militantëve të Brigadës 444 dhe Forcave Speciale Parandaluese, sipas mediave lokale. Tensionet u ngritën, pasi Mahmoud Hamza, komandant i lartë i Brigadës 444, pretendohet se ishte ndaluar nga një grup rival në një aeroport të Tripolit më herët gjatë ditës, thuhet në raportime.

Nuk është e qartë se sa nga të vrarët ishin militantë apo civilë. Gjysmëhëna e Kuqe nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Gjatë luftimeve të martën, Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje palëve rivale që ta lejonin hyrjen e autoambulancave dhe ekipeve emergjente në zonat e prekura, kryesisht në jug të qytetit, dhe që të dërgoheshin doza gjaku në spitalet e afërta.

“OPSGroup”, organizatë e industrisë se aviacionit, tha të hënën vonë se një numër i madh i aeroplanëve u larguan nga Tripoli për shkak të luftimeve. Aeroplanët që ishte në plan të aterronin në kryeqytet, u drejtuan për në qytetin Misrata, sipas kësaj organizate.

Eskalimi ndodhi pas një periudhe disamujore të qetësisë relative, e cila e kishte pasuar luftën civile gati njëdekadëshe në Libi, ku dy grupe rivale të autoriteteve janë ngujuar në një ngërç politik. Përçarjet e vjetra kanë nxitur disa incidente të dhunës në Tripoli viteve të fundit, edhe pse shumica kanë përfunduar brenda disa orëve.

Lajme të ngjashme