Raportohet për shkëmbim zjarri mes trupave siriane e ushtrisë libaneze në kufirin Siri – Liban - NACIONALE

Raportohet për shkëmbim zjarri mes trupave siriane e ushtrisë libaneze në kufirin Siri – Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trupat siriane shkëmbyen të shtëna me ushtarë libanezë e grupe të armatosura në pjesën verilindore të Libanit gjatë natës së kaluar e deri të hënën në një rund të ri përleshjesh përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Tensionet përgjatë kufirit malor kanë qenë të larta në muajt pasi rebelët islamikë e rrëzuan ish-presidentin sirian, Bashar al-Assad, aleat i Iranit dhe i Hezbollahut, dhe i instaluan institucionet e ushtrinë e tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të dielën vonë, Ministria e Mbrojtjes e Sirisë e akuzoi Hezbollahun se kishte hyrë në territor sirian dhe kishte rrëmbyer e vrarë tre anëtarë të ushtrisë së re siriane.

Hezbollahu e mohoi përfshirjen. Një burim libanez i sigurisë i tha agjencisë “Reuters” se tre ushtarë sirianë kishin kaluar në territorin e Libanit dhe ishin vrarë nga anëtarë të armatosur të një fisi në pjesën verilindore të Libanit, të cilët kishin frikë se vendbanimi i tyre ishte nën sulm.

Si hakmarrje për vdekjen e tre ushtarëve, trupat siriane sulmuan me predha qyteza kufitare libaneze gjatë natës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë dhe ushtrisë libaneze. Banorët e qytezës Al-Qasr, më pak se një kilometër larg kufirit, i thanë agjencisë “Reuters” se ata ikën më larg kufirit për të shpëtuar nga bombardimet.

Ushtria libaneze tha në një deklaratë të hënën se ua kishte dorëzuar trupat e tre sirianëve të vrarë autoriteteve të Sirisë dhe se i ishte kundërpërgjigjur zjarrit nga territori sirian dhe kishte dërguar përforcime në zonën kufitare.

Në anën tjetër, ushtria siriane dërgoi një autokolonë me trupa dhe disa tanke në kufi të hënën, sipas një reporteri të agjencisë “Reuters”. Trupat siriane qëlluan me armë në ajër, përderisa lëvizën nëpër qyteza rrugës drejt kufirit.

“Përforcime të mëdha ushtarake u sollën për t’i përforcuar pozicionet përgjatë kufirit siriano-libanez dhe për të parandaluar ndonjë shkelje ditëve të ardhshme” – tha Maher Ziwani, udhëheqës i një divizioni të ushtrisë siriane që po dislokohet në kufi./Nacionale

Lajme të ngjashme