Raportohet për së paku 14 të vrarë në Siri nga sulmet e forcave të mbështetura nga Turqia - NACIONALE

Raportohet për së paku 14 të vrarë në Siri nga sulmet e forcave të mbështetura nga Turqia

1 vit më parë

nga NACIONALE

Së paku 14 civilë u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të forcave të mbështetura nga Turqia të hënën dhe të martën, tha grupi militant kurd i mbështetur nga ShBA-ja.

Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, thanë se forcat e përkrahura nga Turqia vunë në shënjestër një treg në qytetin Sarrin me dronë të martën, duke vrarë tetë civilë dhe duke lënduar 20 të tjerë. Ato thanë se disa prej të lënduarve ishin në gjendje kritike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Bombarimet nga forcat e përkrahura nga Turqia në një zonë tjetër në pjesën veriore të Sirisë lanë të vrarë tre civilë dhe lënduan nëntë të tjerë të martën, sipas Forcave Demokratike Siriane. Ato thanë se forcat turke gjithashtu bombarduan një fshat afër qytezës Ain Issa në veri të Sirisë të hënën, duke vrarë tre civilë, përfshirë dy fëmijë.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha në deklarata të martën dhe të mërkurën se forcat turke kishin vrarë gjithsej 27 militantë kurdë në pjesën veriore të Sirisë, pa përmendur vdekje të civilëve.

Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë tha të mërkurën se deklarata e Forcave Demokratike Siriane është dezinformatë dhe i mohoi pretendimet. Turqia thotë se nuk vë në shënjestër civilë në operacionet matanë kufirit dhe se merr masa për ta shmangur dëmtimin e civilëve, objekteve fetare dhe zonave të banimit.

Që nga rrëzimi i ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, në dhjetorin e vitit të kaluar nga rebelët që tashmë kanë ndërtuar një administratë me qëndrime miqësore ndaj Ankarasë, fraksionet kurdë të Sirisë kanë qenë duke u mbrojtur. Nuk është e qartë nëse përkrahja e gjatë e Shteteve të Bashkuara për forcat kurdë do të vazhdojë gjatë mandatit të administratës së presidentit Donald Trump.

Lajme të ngjashme