Raportohet për pakt preliminar të OPEC-ut për ulje të prodhimit të naftës, pritet shtrenjtimi
Vendet prodhuese të naftës, anëtare të organizatës OPEC+, me gjasë do të pajtohen për ta zvogëluar prodhimin për të paktën për një milion fuçi në ditë për pjesën e parë të vitit 2024, duke u udhëhequr nga Arabia Saudite me zvogëlimin vullnetar shtesë dhe me kufizime më të vogla nga prodhuesit e tjerë, i thanë agjencisë “Reuters” dy delegatë para një takimi virtual të kësaj organizate të enjten.
Arabia Saudite, Rusia dhe vendet e tjera të OPEC-ut prodhojnë më shumë se 40 për qind të naftës në botë ose rreth 43 milionë fuçi në ditë. Tash për tash, këto shtete kanë në fuqi zvogëlim të prodhimit prej rreth pesë milionë fuçish në ditë, raporton agjencia “Reuters”.
Dy burimet brenda OPEC-ut thanë se është arritur një marrëveshje preliminare për zvogëlim të prodhimit për më shumë se një milion fuçi në ditë.
Këtu do të përfshihej zgjatja e zvogëlimit të prodhimit nga Arabia Saudite për një milion fuçi në ditë, të cilin e ka fuqi nga korriku, si dhe kontribute të tjera nga vende të tjera anëtare, shtuan burimet.
Nuk qe e qartë se sa do të kontribuojnë vendet e tjera për zvogëlim të prodhimit, thanë burimet. Një burim i tretë tha se të enjten do të arrihet pajtim për zvogëlim të ri të prodhimit, por nuk dha ndonjë shifër.
Çmimi i një fuçie naftë në bursën “Brent” shënoi rritje për 1,02 për qind të enjten, rrugës për ta regjistruar ditën e tretë të shtrenjtimit, në pritje të zvogëlimit të ri të prodhimit nga OPEC-u.
Burimet brenda kësaj organizate thanë se diskutimet kanë qenë të vështira, siç dëshmohet me shtyrjen e datës së takimit, që fillimisht ishte planifikuar për 26 nëntor.