Raportohet për nëntë të vrarë nga Izraeli në Bregun Perëndimor
Nëntë palestinezë u vranë nga sulmet ajrore izraelite në dy zona të Bregut të pushtuar Perëndimor të mërkurën, sipas mjekëve.
Ushtria izraelite përshkroi të paktën pesë nga të vrarët si militantë që dyshoheshin për planifikimin e një sulmi të menjëhershëm.
Në mesin e territoreve ku palestinezët synojnë ta formojnë shtetin e tyre, Bregu Perëndimor është ballafaquar me shtim të dhunës, në të njëjtën kohë me luftën në Gaza, e cila nisi pas sulmit të befasishëm të Hamasit në jug të Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
Përmes një sulmi ajror në një veturë në Balata, afër qytetit Nablus të Bregut Perëndimor, u vranë pesë pjesëtarë të një celule lokale të militantëve që kishin planifikuar sulm të shkallës së lartë ndaj izraelitëve, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.
Në deklaratë, udhëheqësi i kësaj celule, që është në mesin e të vdekurve, u përshkrua si Abdullah Abu Shalal. Grupi Fatah i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, tha se pesë pjesëtarë të tij ndodheshin në veturën e goditur përfshirë Abu Shalalin.
Disa orë më vonë, një sulm ajror në qytetin qendror të Bregut Perëndimor, Tulkarm, la të vrarë katër palestinezë, thanë mjekët. Një zëdhënës ushtarak izraelit konfirmoi se një operacion po zhvillohej në këtë qytet, por nuk ofroi hollësi menjëherë.
Gjakderdhja në Bregun Perëndimor është përkeqësuar që nga fillimi i luftës në Gaza. Në muajt pas nisjes së konfliktit, forcat izraelite kanë vrarë të paktën 360 palestinezë në Bregun Perëndimor, sipas një deklarate të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që u publikua të mërkurën.