Raportohet për mbi 50 të vdekur nga thatësia e ndërprerja e ndihmave në Etiopi - NACIONALE

Raportohet për mbi 50 të vdekur nga thatësia e ndërprerja e ndihmave në Etiopi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 50 njerëz kanë vdekur në rajonet veriore të Etiopisë, Tigray dhe Amhara, në kohën e një thatësie dhe ngrirjes së ndihmave, i kanë thënë televizionit BBC zyrtarët lokalë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Briri i Afrikës është ballafaquar me pesë periudha të dështuara të reshjeve nga viti 2019, raporton televizioni BBC.

Rajoni Tigray është duke e marrë veten nga lufta civile 2-vjeçare që përfundoi para një viti, ndërsa një konflikt ka shpërthyer në Amhara.

Rreth 46 persona vdiqën në qytezën Yechila në Tigray, ndërsa gjashtë të tjerë në Wag Hemra të rajonit fqinj, Ahmara, për shkak të mungesës së ushqimit, thanë zyrtarët.

Më shumë se katër mijë bagëti kanë ngordhur për shkak të thatësisë së madhe. Përderisa pjesa veriore e Etiopisë po ballafaqohet me thatësi, pjesët jugore dhe lindore janë përfshirë nga vërshimet.

Përmes një deklarate në rrjetin X, Kombet e Bashkuara thanë se mbi 370 mijë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të vërshimeve.

Të paktën 43 persona kanë vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në pjesën lindore të Somalisë.

Gjatë luftës në Tigray, rajoni kishte mbetur pa ndihma humanitare, duke shkaktuar numër të panjohur të viktimave, por është vlerësuar se rreth 500 mijë njerëz mund të kenë vdekur si rezultat i luftës, mungesës së furnizimeve mjekësore dhe urisë.

Konflikti përfundoi pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të paqes mes Qeverisë së Etiopisë dhe Frontit Popullor për Çlirim të Tigray-t. Marrëveshja u ndërmjetësua nga Unioni Afrikan.

Lajme të ngjashme