Raportohet për luftime të ashpra në betejën për Donetskun
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se trupat ruse janë përfshirë në luftime të ashpra, të përkrahura nga zjarri i artilerisë, kur ato po zhvillojnë një ofensivë të madhe për rajonin Donetsk, një ditë pasi Rusia e shpalli fitoren në provincën fqinje, Luhansk.
Pasi forcat ruse, të dielën, e morën kontrollin në qytetin Lysychansk, bastion i fundit i rezistencës ukrainase në Luhansk, zyrtarët ukrainas thanë se tash presin që Rusia t’i përqendrojë përpjekjet sidomos në qytetet Sloviansk dhe Kramatorsk të rajonit Donetsk.
Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Gaidai, tha për televizionin ukrainas se ka pasur luftime të ashpra skajin e këtij rajoni, duke shtuar se ushtria e rregullt ruse dhe forcat rezeve janë dërguar atje si përpjekje e qartë për ta kaluar Lumin Siverskiy Donets.
“Ata po pësojnë humbje goxha të rënda. Disa batalione janë vendosur atje për t’i bërë numrat që u nevojiten… Nuk po i marrin të gjithë të plagosurit me vete. Spitalet dhe morgët janë plot. Ende ka shumë bombardime në rajonet Luhans dhe Donetsk. Ata po bombardojnë gjithçka në rrugën e tyre”, tha Gaidai.
Të martën, forcat ruse goditën një treg dhe një zonë banimi në Sloviansk, duke vrarë të paktën dy persona e duke plagosur shtatë të tjerë, thanë zyrtarët lokalë.
Guvernatori rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, tha se qytetet Sloviansk dhe Kramatorsk janë ballafaquar me bombardime të rënda gjatë natës. “Nuk ka vend të sigurt pa bombardime në rajonin Donetsk”, tha ai.