Raportohet për luftime të ashpra e 16 të vrarë në Rafah nga sulmet izraelite - NACIONALE

Raportohet për luftime të ashpra e 16 të vrarë në Rafah nga sulmet izraelite

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmet izraelite në Rafah të Gazës kanë lënë të vdekur të paktën 16 persona, thanë të martën ekipet emergjente, ndërsa banorët raportuan për eskalim të luftimeve atje.

Sulmet e reja ndodhën në të njëjtën zonë ku Izraeli vuri në shënjestër atë që e quajti kompleks i Hamasit të dielën natën. Sulmi shkaktoi zjarr në një kamp për palestinezë të zhvendosur, duke lënë të vdekur të paktën 45 persona, sipas zyrtarëve shëndetësorë lokalë. Rasti nxiti reagime nga e mbarë bota, raporton agjencia “Associated Press”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se të dielën ndodhi një “fatkeqësi tragjike”, ndërsa ushtria tha se ishte duke e hetuar incidentin.

Nga sulmet gjatë natës së kaluar u vranë gjithsej 16 persona në lagjen Tel al-Sultan, në veriperëndim të Rafahut, sipas Mbrojtjes Civile Palestineze dhe Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Izraeli thotë se është duke kryer operacione të kufizuara në lindje të qytetit Rafah, përgjatë kufirit mes Gazës dhe Egjiptit. Megjithatë, banorët raportuan për bombardime të rënda gjatë natës edhe në pjesët perëndimore të qytetit.

“Ishte natë tmerri” – tha Abdel-Rahman Abu Ismail, palestinez nga qyteti Gaza që është duke u strehuar në Tel al-Sultan nga dhjetori. Ai tha se dëgjoi “zhurma të vazhdueshme” të shpërthimeve natën dhe deri të martën në mëngjes, si dhe aeroplanë luftarakë e dronë duke fluturuar mbi atë zonë.

Ismaili tha se këto sulme ia kujtuan pushtimin izraelit të lagjes së tij, Shijaiyah, në qytetin Gaza, kur forcat izraelite kishin nisur një fushatë të bombardimeve të rënda para dërgimit të trupave tokësore në fund të vitit të kaluar. “Ne e kemi parë këtë më parë” – tha palestinezi.

Sayed al-Masri, banor i Rafahut, tha se shumë familje janë detyruar që të largohen nga shtëpitë dhe strehët e tyre dhe shumica janë nisur drejt zonës së ngarkuar, Mawasi, ku kampe të mëdha me tenda janë ndërtuar në bregdet, ose drejt qytetit Khan Younis, qytet jugor që ka pësuar dëme të mëdha gjatë luftimeve. “Situata është duke u përkeqësuar” në Rafah, tha al-Masri.

Lajme të ngjashme