Raportohet për 26 të vrarë nga sulmi izraelit në Khan Younis të Gazës
Agjencia palestineze e lajmeve, Wafa, raporton se 26 persona u vranë gjatë natës nga një sulm ushtarak izraelit ndaj ndërtesave në Khan Younis, në pjesën jugore të Gazës.
Përpos për të vrarët, kjo agjenci raporton edhe për dhjetëra të lënduar, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
Mediumi palestinez thotë, gjithashtu, se zona përreth Spitalit Indonezian në Bei Lahiya dhe caqe në kampin “Jabaliya” u goditën nga sulmet. Këto vende ndodhen në pjesën veriore të Gazës.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, thotë se rreth 12 mijë njerëz janë vrarë në enklavën e izoluar që nga fillimi I luftës më 7 tetor, përfshirë të paktën 4.700 fëmijë dhe 3.000 gra.
Këto shifra nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur dhe në to nuk bëhet dallimi mes civilëve dhe militantëve.
