Rainsford e BBC-së: Pse të lëshojë pe Rusia, kur administrata e Trumpit po pajtohet me kërkesat e saj?
Korrespondentja e BBC-së për Evropën Lindore, Sarah Rainsford, ka bërë një analizë të bisedimeve mes delegacioneve të larta të ShBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite. Sipas saj, Rusia nuk ka shfaqur asnjë shenjë se do të lëshojë pe dhe për këtë ka një arsye.
Çfarë shkruan ajo?
Pas më shumë se katër orësh bisedime në Riad, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, doli në një konferencë për gazetarë dhe njoftoi se ishte arritur marrëveshje për hapat e parë drejt bisedimeve dhe se të dyja palët do t’i formonin ekipet, shkruan zonja Rainsford.
Në anën tjetër të tavolinës ishte ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ende nën sanksione për atë që Thesari i Shteteve të Bashkuara e ka quajtur “luftë brutale e zgjedhjes” e Rusisë.
Kur Lavrovi u takua me mediat ruse, ai u tha atyre se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar një moratorium rreth sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
“Ne shpjeguam që ne kurrë nuk e kemi rrezikuar furnizimin civil me energji dhe e shënjestrojmë vetëm atë që drejtpërdrejt i shërben ushtrisë së Ukrainës” – ishte përgjigjja e kryediplomatit rus.
Kjo nuk është e vërtetë. Unë personalisht kamë ecur nëpër rrënojat e qendrave energjetike civile që janë shënjestruar drejtpërdrejt nga raketat ruse.
Ky është shteti me të cilin Shtetet e Bashkuara po mundohen të angazhohen, edhe pse ka prova të bollshme se nuk mund t’i besohet.
Rusia gjithashtu nuk ka shfaqur asnjë shenjë për të lëshuar pe. Pse ta bëjë, kur administrata e Trumpit tashmë është pajtuar që Ukraina kurrë nuk do t’i bashkohet NATO-s, siç kërkon Moska, dhe nuk do ta kthejë tokën e saj të pushtuar?
Për këtë arsye, për aleatët e Ukrainës, nuk tronditi vetëm pamja e zyrtarëve amerikanë e rusë të ulur në tavolinën me shkëlqim në Arabinë Saudite, por edhe ajo se si folën ata.