Qindra protestues futen në kuvendin e Irakut - NACIONALE

Qindra protestues futen në kuvendin e Irakut

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qindra protestues të klerikut të fuqishëm irakian, Moqtada al-Sadr, vallëzuan dhe kërcyen në kuvendin e Irakut pas futjes në Zonën e Gjelbër, zonë me siguri të lartë, për të protestuar kundër nominimit të një blloku rival për kryeministër.

Policia hodhi gaz lotsjellës në përpjekje për t’ua parandaluar hyrjen në Zonën e Gjelbër protestuesve, por ata nuk u zmbrapsën dhe arritën që të hynin në kuvend.

“Unë jam kundër zyrtarëve të korruptuar që janë në pushtet”, tha protestuesi Mohamed Ali, njëri nga qindra personat që hynë në zonën ku ndodhen ndërtesat qeveritare e diplomatike, para se të largoheshin më vonë në mënyrë paqësore.

Këto protesta janë sfida më e re për vendin e pasur me naftë, që mbetet në krizë politike, sociale e ekonomike pavarësisht nga rritja globale e çmimit të naftës.

Blloku i klerikut al-Sadr doli grupi më i madh parlamentar në zgjedhjet e tetorit, por nuk e arriti shumicën dhe, pas nëntë muajve, vendi është ende në ngërç sa i përket formimit të qeverisë së re.

Kryeministri, Mustafa al-Kadhemi, u bëri thirrje protestuesve që të tërhiqen menjëherë, duke paralajmëruar se forcat e sigurisë do ta garantojnë “mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe misioneve të huaja dhe do të parandalojnë çfarëdo dëmi ndaj sigurisë dhe rendit”.

Megjithatë, u nevojit urdhri i udhëheqësve të shiitëve, al-Sadr, që protestuesit të largoheshin nga kuvendi dy orë më vonë.

“Revolucion i reformës dhe refuzim i padrejtësisë e korrupsionit. Mesazhi juaj është dëgjuar... ju i keni tmerruar të korruptuarit”, shkroi Sadr në Twitter.

Protestuesit e kundërshtojnë kandidaturën e Mohammed al-Sudanit, ish-ministër dhe ish-guvernator provincial./Nacionale

Lajme të ngjashme