Qeveria rumune e miraton draft-ligjin për t’ia dhënë Ukrainës sistemin raketor “Patriot”
Koalicioni qeveritar rumun të hënën miratoi një draft-ligj për ta mundësuar dërgimin e sistemit mbrojtës ajror “Patriot” në Ukrainë. Drafti u dërgua në Kuvend për votimin përfundimtar.
Rumania, anëtare e NATO-s nga viti 2004, ka 650 kilometra kufi të përbashkët me Ukrainën dhe në territorin e saj vazhdimisht kanë rënë copëza armësh, përderisa forcat ruse i sulmonin portet ukrainase matanë kufirit në Lumin Danub, raporton agjencia “Reuters”.
Bukureshti kishte thënë në qershor se do t’ia jepte Ukrainës njërin nga dy sistemet e veta operacionale “Patriot” me kushtin që aleatët t’ia zëvendësojnë atë me një sistem të ngjashëm të mbrojtjes ajrore.
Kjo është pjesë e një dërgese prej pesë sistemesh të tilla dhe njësive të tjera strategjike të mbrojtjes ajrore, për të cilat shtetet e NATO-s janë zotuar se do t’ia dhurojnë Ukrainës në kohën e luftës kundër pushtimit rus.
“Pasi Kuvendi ta miratojë ligjin, Qeveria do të jetë në gjendje që ta lëshojë vendimin që e bën donacionin operacional” – tha zëdhënësi qeveritar rumun, Mihai Constantin.
Në draft gjithashtu theksohet që Rumania do t’i dërgojë ShBA-së letra të ofertës dhe pranimit për zëvendësimin e baterisë së dhuruar raketore dhe pret që të paguajë rreth 60 milionë dollarë si taksa dhe tarifa.
Rumania në vitin 2017 kishte nënshkruar kontratë me vlerë të 4 miliardë dollarëve për blerjen e sistemeve “Patriot” nga prodhuesi “RTX Corp”, kontrata më e madhe e blerjes deri më tani. Dërgesa e parë ishte realizuar më 2020. Deri më tani, Rumania ka pranuar katër sisteme të tilla dhe dy prej tyre janë operacionale./Nacionale