Qeveria e Serbisë i miraton masat e propozuara nga Vuçiqi, ashpërsim urgjent i Ligjit për Armët
Qeveria e Serbisë i miratoi të premten masat e propozuara nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas sulmit të dytë masiv brenda pak ditëve në Serbi.
Ministria e Punëve të Brendshme do t’i përgatisë urgjentisht amendamentet për Ligjin e Armëve dhe Municionit, të cilat do t’i ashpërsojnë kushtet për mbajtjen dhe bartjen e armëve të zjarrit, raporton mediumi “Novosti”.
Sipas amendamenteve të reja të Ligjit për Armët dhe Municionin, do të kryhen kontrolle të detyrueshme të personave që u lejohet mbajtja e armëve, përfshirë armët e gjuetisë, do t’u bëhen ekzaminimet mjekësore, psikiatrike dhe psikologjike si dhe do të bëhet i detyrueshëm testimi për substanca psikoaktive. Këto kontrolle do të bëhen çdo gjashtë muaj, çdo vit.
Ministria e Punëve të Brendshme, përpos moratoriumit për ta ndërprerë lëshimin e lejeve për mbajtjen dhe bartjen e armëve të shkurtra të zjarrit, do t’i ndërmarrë të gjitha masat sipas kompetencave të saj për të siguruar një moratorium edhe për lëshimin e lejeve për mbajtjen e armëve të gjuetisë për dy vjet.
Ministria e Drejtësisë, brenda kornizës së Grupit Punues për amendamentimin e Kodit Penal, do të përgatisë amendamente për ligje që do t’i ashpërsojnë dënimet për shkeljen “prodhim, posedim, bartje dhe trafikim ilegal i armëve dhe i substancave shpërthyese” nga Neni 348.
Personi që prodhon, modifikon, shet, blen, këmben ose mban armë zjarri për të cilat mund të sigurohet leje, do të dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.
Personi që prodhon, modifikon, shet, blen, këmben ose posedon sasi të madhe të armëve ose armë me fuqi të madhe shkatërruese pa leje, do të dënohet me 5 deri në 15 vjet burgim.
