Qeveria e re e Sllovakisë thotë se furnizimi i Ukrainës me armë ishte tradhti kombëtare - NACIONALE

Qeveria e re e Sllovakisë thotë se furnizimi i Ukrainës me armë ishte tradhti kombëtare

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria sllovake ka kërkuar nga policia që ta hetojë ish-ministrin e Mbrojtjes, Jaroslav Nad, për dhurimin e aeroplanëve luftarakë dhe një sistem të mbrojtjes ajrore Ukrainës për ta ndihmuar në luftën kundër Rusisë, tha të premten një zyrtar qeveritar.

Qeveria e re, nën udhëheqjen e kryeministrit Robert Fico, ka bërë një ndryshim të madh të politikës pas ardhjes në pushtet në tetor të vitit të kaluar dhe ia ka ndalur ndihmat ushtarake Ukrainës, edhe pse e ka lejuar vazhdimin e qarkullimit të dërgesave komerciale, raporton agjencia “Reuters”.

Qeveria e kaluar sllovake vitin e kaluar dhuroi 12 aeroplanë luftarakë të prodhimit rus, Mig-29, që Sllovakia i kishte hequr nga përdorimi dhe shumica e të cilëve nuk ishin operacionalë, si dhe një sistem të mbrojtjes ajrore të tipit KUB.

Dhurimi i sistemit të mbrojtjes ajrore e shpërfaqi hapësirën ajrore sllovake dhe i rrezikoi qytetarët, tha Igor Melicher, sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë dhe anëtar i partisë në pushtet, Smer-SD.

“Unë jam i bindur se Nadi e tradhtoi Sllovakinë. Ministria e Mbrojtjes do të paraqesë padi nën dyshimin për kryerjen e krimit të sabotimit, ose tradhtisë kombëtare, keqpërdorimit të pushtetit dhe dështim të detyrave për menaxhim të pasurisë” – tha ai.

Nadi ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje dhe se do ta merrte prapë të njëjtin vendim. Nuk pati menjëherë ndonjë koment të ri nga Nadi të premten.

Njëri nga argumentet që i përdori Melicheri ishte që Qeveria kishte marrë vendim gjatë kohës kur ishte ekzekutiv në detyrë dhe kështu kishte autoritet të kufizuar për të marrë vendime rreth politikës së jashtme.

Këto akuza janë simptomë e skenës shumë të polarizuar politike në Sllovaki, ku Fico vazhdimisht i ka akuzuar paraardhësit për zbatim të ndjekjeve penale kundër partisë së tij, kur ai ishte në opozitë.

Kabineti i tij ka shpërbërë një njësi të posaçme të prokurorisë që merrej me luftimin e korrupsionit, ka zëvendësuar pjesëtarë kyçë të personelit policor dhe ka bërë hapa për ta zëvendësuar menaxhmentin e mediave publike.

Sllovakia pritet që të pranojë aeroplanë luftarakë të tipit F-16, që i kishte porositur më parë, për t’i zëvendësuar aeroplanët MiG./Nacionale

Lajme të ngjashme