Qeveria e re britanike me ndryshime, pritet ta tërheqë ankesën ndaj GjNP-së për Netanyahun - NACIONALE

Qeveria e re britanike me ndryshime, pritet ta tërheqë ankesën ndaj GjNP-së për Netanyahun

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e re britanike, e udhëhequr nga laburisti Keir Starmer, pritet të heqë dorë nga një përpjekje për ta shtyrë marrjen e vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale rreth lëshimit ose jo të një urdhërarresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, nën dyshimet për krime lufte në Gaza.

Kryeministri i ri britanik i tha presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, se ai beson që palestinezët kanë të drejtë të pamohueshme për një shtet palestinez. Starmeri foli me Abbasin të dielën për “vuajtjen e vazhdueshme dhe humbjen shkatërruese të jetëve” në Gaza, raporton gazeta “The Guardian”.

Starmeri bisedoi edhe me homologun izraelit, duke e theksuar nevojën “e qartë dhe urgjente” për një armëpushim në Gaza. “Ai shtoi se do të ishte gjithashtu e rëndësishme që të garantohet që të sigurohen kushtet për një zgjidhje me dy shtete, përfshirë garancinë që Autoriteti Palestinez t’i ketë mjetet financiare për të operuar në mënyrë efikase” – thuhet në njoftimin rreth telefonatës mes dy udhëheqësve.

Kryeministri britanik tha se gjendja në kufirin verior të Izraelit, ku ka pasur shkëmbime zjarri me Hezbollahun në Liban, ishte “shumë shqetësuese” dhe se ishte “jetike që të gjitha palët të veprojnë me kujdes”.

Zyrtarët laburistë thanë se partia vazhdon të besojë që Gjykata Ndërkombëtare Penale, me seli në Hagë, ka juridiksion për Gazën. Në një shkresë drejtuar kësaj gjykate, hartuar nga qeveria e kaluar konservatore, Britania kishte pretenduar se kjo gjykatë nuk ka juridiksion mbi shtetasit izraelitë. Kërkesa e Britanisë për ta dorëzuar këtë shkresë ishte paraqitur në mënyrë të fshehtë më 10 qershor, por ishte zbuluar para dy javëve nga GjNP-ja.

Dhoma e procedurës paraprake e kësaj gjykate i kishte dhënë kohë Britanisë deri më 12 korrik që ta paraqiste pretendimin e saj të plotë, por tani duket shumë pak e mundshme që Qeveria e re do të procedojë me këtë masë, duke e larguar shtyrjen potenciale të vendimit të dhomës së procedurës paraprake të GjNP-së rreth kërkesës për lëshimin e urdhërarresteve.

Në sfidën e saj ligjore, Britania e kishte ngritur pyetjen nëse GjNP-ja mund të jepte urdhër për arrestimin e qytetarëve izraelitë. Zyra e Jashtme e Britanisë kishte thënë se autoritetet palestineze nuk kishin juridiksion mbi shtetasit izraelitë sipas Akordeve të Oslos, dhe, si rezultat, nuk mund t’ia transferonin juridiksionin GjNP-së./Nacionale

Lajme të ngjashme