Qeveria e Bidenit ka kërkuar që Kongresi ta miratojë shitjen e 45 mijë predhave tankesh në Izrael
Administrata e presidentit Joe Biden të ShBA-së ka kërkuar nga Kongresi që ta miratojë shitjen e 45 mijë predhave për tanket “Merkava” të Izraelit për t’i përdorur në ofensivën kundër Hamasit në Gaza, sipas katër burimeve të afërta me këtë çështje, përfshirë një zyrtar dhe një ish-zyrtar të Shteteve të Bashkuara.
Kjo kërkesë po bëhet pavarësisht nga shtimi i shqetësimit për përdorimin e armëve amerikane në një luftë që ka lënë të vrarë mijëra civilë në enklavën palestineze që nga fillimi i kundërpërgjigjes izraelite ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor, raporton agjencia “Reuters”.
Kjo shitje e mundshme, me vlerë të më shumë se 500 milionë dollarëve, nuk është pjesë e kërkesës së Bidenit për 110,5 miliardë dollarë shtesë, ku përfshihen fondet për Ukrainën dhe Izraelin. Kërkesa është nën shqyrtim joformal nga Komisioni i Marrëdhënieve të Jashtme në Senat dhe nga Komisioni për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Ky veprim u mundëson anëtarëve që të shkaktojnë ngecje të shitjes ose të zhvillojnë diskutime joformale me Shtëpinë e Bardhë rreth shqetësimeve.
Departamenti i Shtetit po i shtyn komisionet e Kongresit që ta miratojnë shpejt këtë shitje, thanë një zyrtar amerikan dhe Josh Paul-i, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, në kohën e ankesave nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut për përdorimin e armëve të prodhimit amerikan në konfliktin Izrael – Hamas.
“Kjo shkoi në komisione më herët këtë javë dhe ato duhet që të kenë 20 ditë për t’i shqyrtuar rastet e Izraelit. Departamenti i Shtetit po i shtyn ato që ta japin miratimin tani”- tha Paul-i, i cili në tetor dha dorëheqje nga Departamenti i Shtetit si shenjë proteste kundër asaj që e quajti “përkrahje të verbër” të qeverisë amerikane për Izraelin.
Administrata e Bidenit është duke e shqyrtuar edhe përdorimin e kompetencave urgjente sipas Aktit për Kontrollimin e Eksportit të Armëve për ta lejuar shmangien e komisioneve dhe periudhën e shqyrtimit për një pjesë të municionit – 13 mijë deri në 45 mijë predha – thanë dy zyrtarë amerikanë, edhe pse një vendim përfundimtar nuk ishte marrë ende.