Putini urdhëron propozime për testim të mundshëm të armëve bërthamore - NACIONALE

Putini urdhëron propozime për testim të mundshëm të armëve bërthamore

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i urdhëroi zyrtarët e lartë të vendit të tij të mërkurën që të hartonin propozime për një test të mundshëm të armëve bërthamore, diçka që Moska nuk e ka bërë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik më 1991.

Urdhri – si kundërpërgjigje ndaj njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili javën e kaluar tha se ShBA-ja do t’i rinisë testet bërthamore – është një sinjal tjetër që dy shtetet me arsenalin më të madh bërthamor në botë po i afrohen shpejt një hapi që do të mund t’i përshkallëzonte ndjeshëm tensionet gjeopolitike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Unë do t’i udhëzoj Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes… shërbimet special dhe agjencitë civile përkatëse që të bëjnë gjithçka që është e mundshme për të mbledhur të dhëna shtesë rreth çështjes, për t’i analizuar ato në Këshillin e Sigurisë dhe për të bërë propozime me pajtueshmëri për fillimin e mundshëm të punës rreth përgatitjes së testeve të armëve bërthamore” – tha Putini në komentet që iu transmetuan në televizion.

Marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Rusisë janë përkeqësuar në masë të ndjeshme në javët e fundit, pasi Trumpi, i zemëruar me mungesën e përparimit drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ka anuluar një samit të planifikuar me Putinin dhe i ka vendosur sanksione Rusisë për herë të parë që nga rikthimi në pushtet në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Putini i dha udhëzimet e reja në një takim të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, ku kryetari i Kuvendit, Vyacheslav Volodin, doli nga agjenda zyrtare e sigurisë së transportit për të pyetur se si do të kundërpërgjigjej Moska ndaj planeve të Trumpit për të kryer testime bërthamore të ShBA-së për herë të parë në 33 vjet.

Pyetja e tij, edhe pse u bë me qëllimin që të dukej spontane, nxiti një varg ndërhyrjesh që ishin qartazi të përgatitura.

Ministri i Mbrojtjes, Andrei Belousov, i tha Putinit se komentet dhe veprimet e bëra rishtazi nga ShBA-ja nënkuptojnë se është “e këshillueshme që të bëhet përgatitje për teste bërthamore të shkallës së plotë” menjëherë. Ai shtoi se këto teste mund të mbahen në qendrën e testimit në Novaya Zemlya, në skajin verior të Rusisë në Arktik.

Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Valery Gerasimov, Putinit i tha: “Nëse nuk i ndërmarrim masat e duhura tani, do të humben koha dhe mundësitë për një përgjigje në kohën e duhur ndaj veprimeve të Shteteve të Bashkuara, pasi koha e kërkuar për t’u përgatitur për teste bërthamore, varësisht nga lloji i tyre, lëviz nga disa muaj në disa vjet.”/Nacionale

Lajme të ngjashme