Putini thotë se udhëheqësit e kryengritjes së “Wagner”-it do të sillen para drejtësisë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka akuzuar udhëheqësit e kryengritjes së grupit “Wagner” se donin që ta shihnin Rusinë “të mbytur në përleshje të përgjakshme”.
Në një fjalim të shkurtër plot kritika të ashpra e zemërim, presidenti rus u zotua se do t’i sjellë para drejtësisë organizatorët e kryengritjes, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, ai i quajti “patriotë” trupat e grupit “Wagner” dhe tha se atyre do t’u lejohen anëtarësimi në ushtrinë ruse, shkuarja në Bjellorusi ose kthimi në shtëpi.
Ai nuk e përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë kreun e grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, i cili më herët kishte mohuar se ishte përpjekur që ta rrëzonte regjimin e Putinit.
Prigozhini ka thënë se kryengritja e tij ishte protestë për gabimet e bëra nga zyrtarë rusë të mbrojtjes gjatë luftës në Ukrainë. Megjithatë, ai këmbënguli se grupi i tij ka vepruar gjithmonë dhe vetëm sipas interesave të Rusisë.
Udhëheqësi i grupit famëkeq ka thënë se i ka dhënë fund kryengritjes për ta ndalur “derdhjen e gjakut të ushtarëve rusë”, duke shtuar se disa civilë rusë ishin të zhgënjyer që marshi ishte ndërprerë.
Putini e ka akuzuar Perëndimin se dëshiron që rusët ta vrasin njëri-tjetrin, por presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një konferencë për gazetarë të hënën se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk ishin të përfshira në kryengritjen e grupit “Wagner”.
Presidenti rus pretendoi se menaxhimi i krizës prej tij e kishte shmangur katastrofën. Sidoqoftë, kjo nuk ishte ajo që e panë shumë rusë gjatë fundjavës dhe është vështirë që të mendohet se ata do të binden nga performanca e Putinit.
Putini e çmoi unitetin e shoqërisë ruse dhe e falënderoi homologun bjellorus, Aleksander Lukashneko, për të cilin thuhet se ka ndërmjetësuar për marrëveshjen me të cilën iu dha fund kryengritjes, për përpjekjet e tij për ta zgjidhur situatën në mënyrë paqësore.

